Sport

Më 13 qershor, Shqipëria luan miqësore futbolli me Estoninë!

Muajin e ardhshëm, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të luajë një ndeshje miqësore me Estoninë. Bëhet e ditur se Federata Shqiptare e Futbollit arriti akordin me Federatën Estoneze, që ky takim të luhet në datën 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00.

Më parë, në këtë datë ishte planifikuar që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e Moskës, si rezultat i pushtimit të Ukrainës e që vijon prej 24 shkurtit, FSHF-ja vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.

Po në qershor, Shqipëria do të luajë në datën 6 me Islandën në transfertë dhe më 19 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Nation League. Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën, të dy përfaqësueset janë ndeshur tre herë me njëra-tjetrën, në të tre rastet për ndeshje miqësore.

Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Në atë kohë, golat u shënuan nga Adrian Aliaj e Alban Bushi. Përballja e dytë është ajo e datës 28 prill, e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga Adrian Aliaj. Ndërsa sfida e tretë Estoni-Shqipëri u zhvillua më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin.