Aktualitet

Më 14 qershor hyjnë në fuqi masat e lehtësuara anti-COVID në burgje!

Në një takim me drejtues të burgjeve, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi planin për lehtësimin e masave kufizuese anti-COVID në institucionet e vuajtjes së dënimit për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ato hyjnë në fuqi më 14 qershor dhe konsistojnë:

Rifillimin e lejimit të takimeve të të dënuarve me familjarët, me një takim në muaj duke respektuar distancën e sigurisë, kontrollin shëndetësor, ku familjari është i detyruar të paraqesë vërtetimin e vaksinimit ose dokumentin e testit se nuk është i infektuar me COVID apo teste të tjera serologjike që tregojnë se e kanë kaluar situatën e COVID-it. Gjatë takimeve do të respektohen të gjitha rregullat e tjera anti-COVID në institucione që do të jenë ende në fuqi. Për të miturit e dënuar, lejohen 4 takime në muaj me të njëjtat kërkesa për familjarët. Gjithashtu do të vijojë të ruhet praktika e komunikimit online me Skype.

Rifillimin e dhënies së lejeve të veçanta, në zbatim edhe të udhëzimit të miratuar së fundmi në zbatim të ligjit të ri nr. 81/2020, Udhëzim nr.4 , datë 22.01.2021 i Ministrit të Drejtësisë, “Për përcaktimin e procedurave të dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta për të dënuarit”. Por kjo do të jetë vetëm për raste mortore gjithmonë sipas parashikimeve ligjore dhe vlerësimit të rrezikshmërisë nga drejtoritë e policisë vendore.

Rifillimin e aktiviteteve të përbashkëta, sociale e kulturore në mjediset e burgjeve! Kjo do të kryhet duke mbajtur në konsideratë dhe respektuar distancën e sigurisë e rregullat e tjera anti-COVID por me qëllim që t’i shërbejë rehabilitimit e riedukimit të të gjithë personave të cilët ndodhen në institucione.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi:

Ky lehtësim i masave kufizuese kërkon vëmendjen maksimale të të gjithë ekipit drejtues të sistemit të burgjeve por në veçanti të stafit shëndetësor. Për këtë arsye kërkohet nga ju monitorim i përditshëm me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të personave të privuar nga liria, njëkohësisht edhe lehtësimit të kufizimeve!