Sociale

Më 15 gusht faza e dytë e regjistrimeve për klasat e para dhe të dhjeta; zgjat 10 ditë

Nesër nis faza e dytë e regjistrimeve në e-Albania për klasat e para dhe të dhjeta. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka publikuar njoftimin, ndërsa shkruan se kjo fazë do të zgjasë deri më 25 gusht. Kushi u bën thirrje prindërve që nuk kanë mundur të regjistrojnë fëmijët të shfrytëzojnë këtë fazë, ndërsa shton se për prindërit që do të kenë nevojë për mbështetje në përdorimin e portalit e-Albania do të ketë stafe të dedikuara ndihmëse në çdo shkollë.

“Dëshiroj të informoj të gjithë prindërit që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në klasat e para dhe të dhjeta, se nesër nis faza e dytë e regjistrimit në portalin e-Albania dhe do të zgjasë nga data 15 deri 25 gusht. Ju lutem kini në vëmendje se regjistrimet për vitin shkollor 2022 – 2023 do të jenë vetëm online, por të gjithë prindërit që kanë nevojë do të kenë mundësinë të mbështeten apo ndihmohen nga stafe të dedikuara në çdo shkollë. Asnjë nxënës nuk do të mbesë pa u regjistruar. Faleminderit dhe suksese!”, shkruan ministrja.

Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji. Çdo prind apo kujdestar ligjor pasi të hyjë në llogarinë e tij në portal, duhet të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, rrugën dhe shkollën që shfaqet në sistem. Një vit më parë kjo mënyrë regjistrimi u aplikua vetëm në 182 shkolla, ndërsa këtë vit do të përfshijë të gjitha shkollat e vendit. Viti i ri shkoll këtë vit do të nisë më 12 shtator.

Dëshiroj të informoj të gjithë prindërit që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në klasat e para dhe të dhjeta,…

Posted by Evis Kushi on Sunday, August 14, 2022