Aktualitet

Më 20 qershor, vendimi i KPA-së për gjyqtaren Rilinda Selimi!

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi. Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Rilinda Selimi, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës njoftoi se trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të mos kërkojë prova shtesë në funksion të kërkimit të Komisionerit Publik, duke i konsideruar të mjaftueshme aktet që ndodhen në fashikullin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në vijim, pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues, i konsultuar ne vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare më datë 20.6.2022, ora 14:00.

Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, e konfirmoi në detyrë subjektin e rivlerësimit, Rilinda Selimi, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar përgjatë një dekade si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.