Aktualitet

Më 2020-ën vrau një person duke e përplasur qëllimisht me makinë, gjykata e Durrësit e dënon me 18 vite burg!

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e shpalli fajtor për vrasje me dashje dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, uniformat blu në Manzë ekzekutuan vendimin për një 39-vjeçar, banues në Ishëm.

Shtetasi Afrim Kila ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Krimi për të cilin u dënua daton vitin 2020, kur në mjediset e një lokali në Ishëm, Kila goditi me mjete të forta një shtetas dhe më pas e përplasi me makinë në rrugë, duke i marrë jetën.

Viktima gjeti vdekjen në spital, pasi për fat të keq nuk arriti t’iu mbijetojë dëmtimeve të rënda. Zyrtarisht, bëhet e ditur se në vijim të veprimeve, shtetasi Afrim Kila u transportua në IEVP Durrës për të vuajtur dënimin.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Manzë bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për shtetasin Afrim Kila, 39 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, e cila ka dënuar këtë shtetas, me 18 vjet burgim. Shtetasi Afrim Kila së fundi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Më datë 19.05.2023, në përfundim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në vitin 2020, në ambientet e një lokali në Ishëm, ku shtetasi Afrim Kila goditi me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet, shtetasin D. (P). K., i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka deklaruar fajtor këtë shtetas dhe e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve shtetasi Afrim Kila u transportua në IEVP Durrës, për të vuajtur dënimin.