Aktualitet Politikë

Më 6 dhjetor, protesta e radhës e opozitës/Berisha flet dhe për rrugët: Balluku më e korruptuara!

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, sot kryetari Sali Berisha njoftoi se protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet në datën 6 dhjetor. Sipas Berishës, kjo datë u vendos për të pritur liderët e Bashkimit Europian që do të jenë në Tiranë, ndërsa e quajti “një rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive europiane, para të gjithë botës”.

Protesta e 12 nëntorit duhet të vazhdojë me protesta të tjera dhe data 6 dhjetor, mendoj unë është një datë, rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive europiane, para të gjithë botës. Pikërisht me këtë agjendë, betejë kundër monizmit dhe ekzistencën e pluralizmit.

Mbrojtjen e pasurisë më të madhe publike që kanë shqiptarët sot, Portin e Durrësit. Po plaçkitet në mënyrën më të paimagjinueshme, po përvetësohet nga klani Rama.

Një popull i shndërruar në një popull gomonesh, si asnjë komb tjetër në Europë.

Ne mirëpresim dhe u urojmë mirëseardhjen kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Protesta jonë synon të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet, shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike janë të forta.

Ftoj që ta marrim këtë protestë tonën si një akt mikëpritjeje ndaj tyre dhe padyshim një akt armiqësor, flagrant, të hapur ndaj Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron çdo komb, qytetar, njeri, lirinë, pluralizmin, të drejtat, transparencën dhe çdo gjë tjetër.

Unë këtë propozim kisha sot.

Më herët gjatë ditës, në një dalje për mediat, kryetari demokrat Berisha foli për koncensionet e rrugëve dhe zv.kryeministres Belinda Balluku iu referua si “më e korruptuara”. Berisha veçoi rrugën Lekaj-Fier, në denoncimet e tij e ndërsa banorët e Bërxullës në Tiranë të cilët  janë ngritur në protesta pasi preken nga koncesioni i rrugës Kashar-Thumanë e akuzuan opozitën se po tregohet selektive, Berisha u shpreh se PD mbështet çdo protestë.