Bota

Me Amerikën e rikthyer, NATO i tregon “muskujt” Rusisë dhe Kinës!

Samiti i nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel, i pari me pjesëmarrjen e presidentit amerikan, Joe Biden u mbyll duke rikonfirmuar Aleancën Ushtarake me një deklaratë të fortë kundër Rusisë e në një nivel më të moderuar ndaj Kinës. Nga NATO, ato cilësohen “sfida ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Referuar direkt Rusisë, u ra dakord mbi një politikë të re të mbrojtjes kibernetike.

Hapësira kibernetike rrezikohet në çdo kohë dhe duhet të kemi aftësi të forta teknike, konsultime politike e planifikim ushtarak për të mbajtur të sigurt sistemin tonë!

Aleanca miratoi mekanizmin e konsultimit “NATO 2030”. Përmes tij synohet përgatitja për Konceptin e ardhshëm Strategjik të Aleancës.

Dokumenti përfshin ndërgjegjësimin për një “Rusi më agresive, një formë më brutale terrorizmi, paqëndrueshmërinë e vazhdueshme, rritjen e kërcënimeve kibernetike e hibride, teknologjitë e reja, pandemitë dhe ndryshimin e klimës, si kërcënime të reja”. Moska mohon çdo akuzë por aleatët janë të shqetësuar nisur dhe nga agresioni i fundit rus në kufirin lindor.

Sa i përket pranisë ushtarake në rritje të Kinës nga Balltiku në Afrikë, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg apeloi që NATO të jetë e përgatitur.

Kina po vjen më pranë nesh. Ne e shohim në hapësirën kibernetike, e shohim në Afrikë por gjithashtu shohim që Kina investon shumë në infrastrukturën tonë kritike!

“NATO 30” nënvizon se “fuqizimi i Kinës e zhvendos thellësisht ekuilibrin e pushtetit”.

Ekspertët mendojnë se europianët duan të punojnë me Amerikën e Kinën por nuk duan të gjenden në mes të përplasjes Uashington-Pekin. Me Joe Biden-in në krye të Shtëpisë së Bardhë ka një rikthim të Amerikës, që u rikonfirmua nga vetë Biden në Bruksel. Presidenti theksoi angazhimin amerikan ndaj parimit të mbrojtjes kolektive të Aleancës.

Dua që e gjithë Europa ta dijë se Shtetet e Bashkuara janë të pranishme. Shtetet e Bashkuara janë këtu!

Një ndryshim qëndrimi krahasuar me të para’ardhësit Trump, sipas të cilit, NATO-s i kishte ikur koha dhe ankohej se Amerika po paguante më shumë se sa i takonte për Aleancën. Si përfundim, liderët ranë dakord të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike përballë një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks.

Ndërkaq, nesër pritet me interes takimi në Gjenevë të Zvicrës i Biden-it me homologun rus, Vladimir Putin. Duke folur paraprakisht rreth këtij takimi, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi:

Do t’i bëj të qartë presidentit Putin se nuk kërkojmë konflikt me Rusinë por se do t’i përgjigjemi nëse përfshihet në veprimtari të dëmshme. Do të mbrojmë NATO-n e vlerat demokratike!