Aktualitet

Me Gjuhën e Huaj, sot nisin provimet e Maturës Shtetërore!

Mbi 33 mijë maturantë i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, Gjuhës së Huaj. 8 mijë prej tyre janë vetëm në qarkun e Tiranës. Provimi nis në orën 10:00 dhe mbyllet më 12:30, pra zgjat 2 orë e 30 minuta. Fillimisht, nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 90 minuta para e me vete duhet të kenë dokument identifikues, si dhe mjetet shkollore të nevojshme.

Janë 60 pyetje për t’u plotësuar dhe për të kaluar, një nxënës duhet të marrë minimumi 25% të pikëve, pra mbi 15 pikë. Pyetjet janë ndërtuar në bazë të një fondi e bazohen në njohuritë e mësuara në tre vite. Mësuesit që i hartuan, për disa ditë u ngujuan në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që të shmanget përhapja e kopjeve.  Sa i përket vështirësisë, 40% të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, po kaq nivel i dytë dhe 20% do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë, të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.  Mjediset do të jenë në dispozicion për 150 nxënës, si dhe distanca mes tyre llogaritet 120 cm.

Nëse maturanti kapet me telefon, kopje, duke ndryshuar vendin e caktuar, duke marrë dhe dhënë informacione, refuzon kontrollin e prish qetësinë do të penalizohet dhe do të shkojë për vjeshtë.

Kur maturanti përfundon provimin, nuk do t’i njihet nëse ka dëmtuar barkodin identifikues, nëse është marrë masë përjashtimi për të apo ka përdorur lapsa me ngjyra.

Për mbarëvajtjen e provimit, angazhohen 7 mijë mësues administrues, jo të shkollave të mesme, si dhe në të gjithë Shqipërinë janë vënë në dispozicion 167 qendra testimi, 31 vetëm në kryeqytet.

Provimet e maturës që nisin më 9 qershor me gjuhën e huaj, vijojnë me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë  më 11 qershor, Matematikën më 17 qershor, dhe 24 qershor, lëndën me zgjedhje, ku më të preferuarat janë qytetaria e psikologjia, çka dëshmon prirjet e nxënësve drejt lëndëve shoqërore. Sa i përket përgjigjes së provimeve, afati është deri më 30 qershor.

Për të transportuar materialet e testimit, janë angazhuar Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme dhe Posta Shqiptare. Materialet në qendrat e testimit kanë shkuar dy orë para nisjes së provimit.