Aktualitet

Me kontributin e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, edhe 20 shtëpi të rindërtuara pas tërmetit dorëzohen sot në Vaqarr!

Në Vaqarr të Tiranës përfundoi ndërtimi i banesave për familjet e dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, që shkaktoi 51 viktima. Me Durrësin e Lezhën, edhe Tirana ishte mes qarqeve më të goditur nga lëkundjet e rreth dy viteve më parë.

Por, tashmë për një pjesë të familjeve të prekura janë momente gëzimi, falë edhe kontributit të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”. 20 shtëpi me të gjitha kushtet e të madhësive të ndryshme iu shtohen 11 të parave të dorëzuara vitin e kaluar, po nga ky fondacion.

Drejtuesi i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, i cili me gazetaren e Top Channel, Genta Dobra ishte sot në një prej këtyre shtëpive, dha më shumë detaje:

Shtëpitë janë 3+1, 2+1 e 1+1, në varësi të numrit të anëtarëve të banesave. Të gjitha janë të mobiluara, me të gjitha kushtet. Projekti nga ne u realizua në kohë rekord dhe jemi të lumtur që pas 11 shtëpive të para që dhamë vitin e kaluar, bëjmë të mundur edhe 20 banesa të tjera në këtë lagje të re, të bërë totalisht nga fillimi: me rrugë, shkolla e banesa. Shpresoj që banorët të cilët do të hyjnë, t’i gëzojnë këto shtëpi! Inaugurimi e dorëzimi i tyre do të bëhet në orën 16:00, me muzikë e valle dhe jemi jashtëzakonisht shumë të lumtur!

Por, “Fundjavë Ndryshe” nuk ndalet këtu në nismën për të mundësuar rindërtimin e më shumë shtëpive, për njerëzit që i humbën më 26 nëntor 2019 duke mbetur të pastrehë.

13 banesa të tjera janë në proces për t’u realizuar nga Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”.

Në inaugurimin e pritshëm për në orën 16:00 do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.