Aktualitet

Me Lamborghini dhe BMW sfiduan policinë; gjobiten dy garuesit e “çmendur”

Mme makina luksoze, “Lamborghini” dhe “BMW”, dy shqiptarë të Kosovës janë ndjerë “zot” të rrugës duke ecur me shpejtësi të frikshme në autostradën Fier-Vlorë, madje duke mos i ndaluar as policisë.

Drejtuesit e automjeteve u pikasën nga radarët e policisë në Bypass-in e Fierit, por nuk kanë ndaluar derisa janë bllokuar nga policia në hyrje të qytetit të Vlorës.

Ata udhëtonin me 225 km/h duke bërë gara me shpejtësi me njëri-tjetrin. Policia thotë se drejtuesi i “Lamborghinit”, një 40 vjeçar me banim në Zvicër, u ndëshkua me 168 mijë lekë për tejkalim e garë shpejtësie, udhëtim pa targë dhe mosbindjen ndaj policisë.

Ndërkohë, drejtuesi i “BMW një 36-vjeçar me banim në Kosovë u ndëshkua me 120 mijë lekë për Tejkalim dhe garë shpejtësie.

Policia apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor duke evidentuar faktin se kudo ka radarë dhe punonjës të Policisë Rrugore.

Ndërkaq, dje dhjetë drejtues mjetesh u arrestuan nga Policia Rrugore në 24 orë, gjashtë prej tyre drejtim mjeti në gjendje të dehur, dhe 4 shtetas për drejtim mjeti pa patentë. 41 patenta të tjera janë pezulluar.

Policia Rrugore bën me dije ndërkohë se janë ndëshkuar me gjobë 1919 shoferë, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Falë denoncimeve nga qytetarët në të gjithë vendin janë parandaluar 5 ngjarje të mundshme rrugore, në Tiranë, Korçë, Dibër, Sarandë dhe Fier, ku drejtuesit e mjeteve nën efektin e alkoolit xhironin gomat dhe kryenin manovra të rrezikshme në rrugë.