Botë e Çuditshme

Me pretekstin se ishin dembela, drejtori shkarkon 900 punonjës në Zoom!

Vishal Garg, CEO i “Better.com”, një kompani amerikane huadhënësve, ka shkarkuar nga detyra 900 punëtorë përmes një telefonate në grup në Zoom. Më vonë, kompania njoftoi se kishte shkurtuar rreth 9% të stafit pak ditë para pushimeve të fundvitit. Garg tha në videotelefonatën e tij këto fjalë:

Nëse jeni pjesë e kësaj telefonate, jeni pjesë e një grupi të pafat që po largohet nga puna.

Më pas, ai u tha punonjësve se do të merrnin edhe një e-mail sqarues nga Burimet Njerëzore, për përfitimet dhe shpërblimet. Drejtori i Financave të kompanisë, Kevin Rayna tha se:

Është e vështirë të shkarkosh njerëz nga puna, sidomos në këtë periudhë të vitit. Por pasqyrat financiare na detyruan që të merrnim këtë vendim.

Garg tha se arsyet e shkarkimit masiv nga puna ishin performanca dhe produktiviteti, por revista “Fortune” raportoi se ai kishte akuzuar punonjësit se kishin “vjedhur” klientët e njëri-tjetrit dhe se ishin dembelë që punonin vetëm dy orë në ditë. Biznesmenja Radhika Gupta, e cila është MD & CEO e Edelweiss MF, e ka kritikuar CEO-n duke thënë këto fjalë në Twitter-in e saj:

Një kompani që sapo ka marrë fonde prej 750 milionë dollarësh, a do të duhet të pushojë nga puna 900 persona në sezonin e festave në këtë mënyrë? Asnjë rritje nuk vlen për këtë kosto njerëzore.

Gupta tha më tej se është koha që kompanitë të vlerësojnë dhembshurinë dhe dinjitetin në vendin e punës ndër të tjera.

Është koha që ne të vlerësojmë dhembshurinë dhe dinjitetin në vendin e punës po aq sa bëjmë vlerësime.

Kryetari i konglomeratit Indian ‘RPG Group’, Harsh Goenka, gjithashtu reagoi në videon virale dhe e quajti pushimin nga puna “krejtësisht të gabuar”. Shefi tha se CEO duhet të kishte folur një me një me punonjësit në vend që të shkarkonte stafin në një telefonatë tre minutëshe në Zoom. Goenka gjithashtu shprehu dhimbjen për ata që u pushuan.