1këngëx2 Celebrities

“Më ka promovuar si artist”/Bojken Lako emocionon me rrëfimin e tij me rastin e 24-vjetorit të TAR!

Sot i ftuar në studio në emisionin maratonë “1këngëx2” ishte artisti i njohur dhe ish-drejtori artistik i Top Albania Radios, Bojken Lako për të na thënë gjithçka rreth rrugëtimit të tij në këtë radio që më krenari e pranon se e ka promovuar si artist dhe është thellësisht mirënjohës.

Si ndihet sot Bojken pas kaq shumë vitesh dhe çfarë mendon për studiot e reja të Top Albania Radios?

Ndihem shumë mirë, kënaqësi e veçantë. Kënaqësia është se ju po e vazhdoni dhe po e kaloni në nivele të tjera këtë radio, për t’i dhënë hapësirë këtij mediumi që mos të mbyllet me zhvillimin e teknologjisë. Unë jam gjithë kohës në udhëtim dhe më pëlqen stacionimi në vende të ndryshme, gjithmonë mirë është për hapësira, forma, struktura të reja paralele. Para disa ditësh u futëm në disa pallate nga 15-katshi dhe dola në rrugicat e Top Albania Radios, shumë nostalgji. Ju mundoheni të jepni shpirtin, energjinë sepse nuk ka rëndësi se ku objekt ndodheni.

Si kanë qenë fillimet e Bojken Lakos në Top Albania Radio?

Ishte gjë e madhe, nuk e kisha parashikuar atë sukses. Kam filluar 3-4 muaj pasi Tani hapi Top Albania Radion. Aty gjeta Zamirën, Gertën dhe fryma e grupit pavarësisht se nuk kishte programacion të detajuar ndihej që ishte ndryshe. Sapo kisha mbaruar shkollën, isha me energji dhe duke parë energjinë e Tanit, atë që përcillte gjatë ditës, duke pasur ndjesi për atë që mund të bëja, unë e kisha një pritshmëri që kjo do të kishte një vazhdimësi të gjatë, por përmasat që mori me dëgjuesit e shumtë ishte befasuese, na motivonte për të vazhduar. Ishte promovim i madh për mua, unë kisha disa vite që merresha me muzikë dhe promovimi që m’u bë në Top Albania Radio, kur mora pjesë në festival ishte gjë e madhe. Promovimi im si artist është bërë nga kjo media, fillimisht nga Top Albania Radio. Kur i kujtoj i kujtoj me kënaqësi. Mënyra si regjistronim kohët e para me miqtë që nuk janë këtu e që ndodhen jashtë vendit, kanë padiskutim edhe ata një kontribut të veçantë.