Botë e Çuditshme

Me ritmin aktual, shumica e yjeve do të jenë të padukshme në qiell!

Sipas shkencëtarëve rritja e përdorimit të diodave që lëshojnë dritë dhe formave të tjera të dritës po ndikojnë në mënyrë dramatike në qiellin e natës. Përdorimi pa kriter i dritës artificiale të jashtme, ndriçimit të rrugëve, posterave reklamues dhe ndërtesave të ndriçuara na pengojnë dukshëm pamjen e yjeve. Në vitin 2016, astronomët zbuluan se Rruga e Qumështit nuk ishte më e dukshme për një të tretën e njerëzimit.

Që atëherë, ndotja nga drita është përkeqësuar ndjeshëm. Me ritmin aktual, shumica e yjësive do të jenë të padukshme pas 20 vjetësh. Martin Rees, Astronom Mbretëror i Britanisë së Madhe tha se:

Qielli i natës është pjesë e mjedisit tonë dhe do të ishte një humbje e madhe nëse brezi i ardhshëm nuk do ta shihte kurrë atë ashtu. Nuk duhet të jesh astronom që të interesohesh për këtë. Unë nuk jam ornitolog, por nëse nuk do të kishte zogj në kopshtin tim, do të ndihesha i varfër.

Rees kohët e fundit krijoi një raport që bën thirrje për një sërë masash për të trajtuar ndotjen e dritës. Mes shumë fatkeqësive ekologjike të kërcënuara, një që pak e kanë njohur është humbja e lakuriqëve të natës. Sipas librit të ekologut suedez Johan Eklöf, rreth katër dekada më parë, shumica e kishave në Suedinë jugperëndimore ishin të mbushura me koloni lakuriqësh nate, gjë që nuk është më kështu. Në hulumtimin e tij, ai pretendon se një nga fajtorët e mëdhenj për këtë është ndotja nga drita.

Rikujtojmë, se ishulli Bardsey, jashtë gadishullit Llŷn, është vendi i 16-të në botë që njihet si vendi më i errët në tokë. Uellsi tashmë ka disa vende që bëjnë pjesë në Qiellin e Errët, por zonat e përcaktuara si vendet e errëta janë shumë më të rralla dhe kanë kritere më të larta për sa i përket cilësisë së qiellit të natës. Banorët e ishullit shpresojnë se statusi i ri do të rrisë profilin e ishullit si dhe do t’i vendosë Uellsit titullin si një “komb me qiell të errët”.