Bota Health & Beauty

Më shumë simptoma nga sa mendon janë të lidhura me migrenën!

Migrena nuk është vetëm një dhimbje koke. “Te njerëzit nën 50-vjeç, migrena kronike është shkaku kryesor i paaftësisë”, sipas një studimi të vitit 2018. Por, shumë njerëz që jetojnë me këtë gjendje mund ta kenë të vështirë të njohin seriozitetin e saj e të marrin kujdesin mjekësor që u nevojitet për migrenën. E këtij mendimi është Kylie Petrarca, infermiere dhe Drejtore  Programi e Shoqatës së Çrregullimeve të Migrenës në Amerikë.

Njerëzit nuk i japin nivelin e njohjes që meriton

Dr.Frederick Godley, kreu i Shoqatës së Çrregullimeve të Migrenës shprehet se shumë mjekë nuk dinë mjaftueshëm për spektrin e çrregullimeve të migrenës.  Por, ka profesionistë që merren me gjendjet e saj. Një studim i ri i botuar dje në Neurology, revistën e Akademisë Amerikane të Neurologjisë, tregoi se dhimbjet e kokës dhe migrena ndikohen nga rimet cirkadiane, që lidhen edhe me gjumin e zgjimin.

Çfarë është migrena?

Ajo që dikur quhej dhimbje koke migrene tani quhet “atak” migrene, që shkon përtej dhimbjes së kokës. “Migrena fillon thellë në tru”, thotë neurologu Dr. Stewart Tepper.

Gjendja kuptohet më mirë si një sëmundje komplekse neurologjike që prek shumë pjesë të sistemit nervor. Për t’u diagnostikuar me një gjendje migrene, një pacient duhet të ketë të paktën pesë goditje në jetën e tij, secila me kohëzgjatje katër deri në 72 orë kur nuk trajtohet.

Po ashtu, intensitet mesatar deri të rëndë, dhimbje pulsuese, përkeqësim nga aktiviteti dhe shfaqje në njërën anë të kokës. Gjithashtu shtohen të përziera e ndjeshmëri ndaj dritës ose zërit.

Nga vjen migrena?

“E vështirë të thuhet saktësisht, por shumë prova tregojnë se faktorë gjenetikë dhe mjedisorë i çojnë njerëzit të kenë migrenë”, – tha Petrarca. Migrena priret të trashëgohet në familje, ndonëse jo njësoj mes anëtarëve të ndryshëm të saj.

Edhe pse gjenetika është shkak kryesor, disa migrena mund të shkaktohen nga lëndimet në kokë. Po ashtu nga ndryshimet hormonale, veçanërisht në estrogjen.

Cilët janë shkaktarët?

Shkaktarët e migrenës janë të ndryshëm, ndaj Kylie Petrarca rekomandon mbajtjen e një ditari, që të mund të gjurmoni faktorët.

Zakonisht, njerëzit fillojnë të kenë migrenë pas pubertetit, por te fëmijët më të vegjël mund të shfaqet në forma si dhimbje barku e marramendje. Për shumë gra, goditjet e migrenës priren të shoqërohen me fazat e ciklit menstrual. Mund të shkaktohen edhe nga ndryshimet e motit, stresi, shqetësimet e gjumit, anashkalimi i vakteve, dehidratimi e alkooli. Si çokollata ashtu edhe vera mund të jenë shkaqe të forta.

Cilat janë simptomat?

Kur njerëzit mendojnë për migrenën, shpesh mendojnë për dhimbjen e kokës. Por, shumë persona përjetojnë shumë më tepër simptoma se kaq. Rreth një e treta do të përballen me një gjendje që çon në migrenë, shqetësim i përkohshëm perceptues që zgjat nga pesë minuta në një orë. Mund të duket si vizion jo i qartë, shikim i njollave, mpirje në ekstremitete ose ndryshime në të folur.

Lista e simptomave të mundshme që shoqërohen me migrenën është e gjatë, ndërsa përfshin: marramendje, mjegullim të trurit, zhurmë në veshë, ndryshime të humorit, dhimbje në qafë e dëshirë për ushqim, lodhje.

Çfarë mund të bëni?

Ka shumë ilaçe që mund t’i diskutoni me mjekun tuaj, por është e rëndësishme të gjeni një mjek që e kupton migrenën edhe pse profesionistët e fushës janë në mungesë. Mund t’ju duhet të mbroni veten për të marrë një diagnozë e trajtim efektiv.

Kur t’i merrni medikamentet, i bëni gati dhe përpiquni t’i merrni sa më shpejt nëse keni simptoma, mos prisni deri vonë. Shumë e vështirë ta ndalosh pasi të fillojë.

Por, mjekimi nuk është mënyra e vetme për të trajtuar çrregullimet e migrenës. Një nga gjërat e para që një person mund të bëjë janë ndryshimet në stilin e jetesës.

Terapia konjitive e sjelljes shpesh sjell dobi për të ndihmuar në menaxhimin e stresit që mund të shkaktojë goditje të migrenës. Marrja e vitaminave dhe suplementeve si magnezi e riboflavina mund të jetë efektive në reduktimin e shpeshtësisë së migrenës. Gjurmoni migrenën tuaj, krijoni një rutinë gjumi, stërvituni rregullisht, hani vakte të ekuilibruara mirë, menaxhoni stresin dhe qëndroni të hidratuar!