Bota

Më shumë terroristë largohen nga Siria me pasaporta false/”The Guardian” investigon!

Pasaporta dhe viza false që lejojnë hyrjen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kohët e fundit, ky po prezantohet si aktiviteti kriminal online me rritje të shpejtë, që po lejon që shumë anëtarë të ISIS-it të largohen nga Siria dhe të shpërngulen jashtë vendit.

Ky aktivitet kriminal u zbulua gjatë një hetimi të gazetës britanike “The Guardian”, që nënvizon se “trafikimi paraqet rrezik për sigurinë e vendeve ku arrijnë të hyjnë këta ekstremistë”.

Gazeta raportoi për një rrjet klandestin, të drejtuar nga një uzbek me lidhje me ekstremizmin islamik, i cili nga Turqia ku jeton, ofron pasaporta pothuajse të padallueshme nga ato origjinale për shumën prej 15 mijë dollarësh. Në të paktën 10 raste, personat që kanë hyrë ilegalisht në Turqi nga Siria kanë marrë avionë në Aeroportin e Stambollit duke përdorur dokumente false.

Shitësit e pasaportave të falsifikuara thonë se destinacioni më popullor është Bashkimi Europian, por në dy raste, mbajtësit e dokumenteve false ruse kanë udhëtuar nga Stambolli në Meksikë dhe prej andej në SHBA. Vende të tjera ku synojnë të hyjnë ekstremistët janë Nigeria, Mauritania, Ukraina dhe Afganistani.

Tregtia e uzbekut ka “lulëzuar” dhe kjo sugjeron që terroristë të rrezikshëm do t’iu shpëtojnë radarëve të shërbimeve të sigurisë në botë, duke i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë për krime të kryera në të kaluarën e gjithashtu mund të vazhdojnë aktivitetin terrorist në vende të tjera, krahas Sirisë.

“The Guardian” arriti të kontaktojë me shtetasin nga Uzbekistani kur gazetarët britanikë u shtirën si klientë të interesuar. Ai u shpreh se “nuk ka si detyrë të komentojë atë që është e mirë apo e keqe. Kjo i përket autoriteteve”.

Në vitin 2015, zyrtarë perëndimorë paralajmëruan se Shteti Islamik ka arritur të sigurojë edhe një sërë pasaportash të reja e printera, për të pajisur me dokumente identifikimi, shtetas sirianë e irakianë që në të vërtetë luftonin për ISIS-in. Qëllimi ishte t’i bashkonte me refugjatët të cilët iknin nga vendet e tyre e synonin BE-në.