Aktualitet Sport

Mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë incidenteve të tifozëve në Tiranë!

Incidentet e mbrëmshme në Tiranë ku policia ndërhyri për të shmangur konfrontimet mes tifozëve të Romës e Feyenoord-it morën vëmendjen e mediave ndërkombëtare, në veçanti të atyre në Itali e Holandë.

Gazeta më e madhe sportive italiane, “Corriere dello sport” shkruan:

Incidente dhe përplasje në Tiranë mes policisë së kryeqytetit shqiptar e tifozëve të Feyenoord-it, kundërshtarit të Romës në finalen e Conference League. Shqetësimi sa vjen e shtohet për atë që mund të ndodhë sot. Siç konfirmon policia e Tiranës, pati tre raste incidentesh.

Në rastin e parë, një shqiptar u plagos nga një karrige në kokë në zonën e tifozëve të rezervuar për Feyenoord, të cilët dyshohet se janë provokuar nga njeriu që u plagos më pas (ai aktualisht ndodhet në urgjencë, por nuk është në rrezik) pasi kishte kënduar himnin e Romës. Tetë persona u ndaluan, por ata nuk janë, të paktën tani për tani, të arrestuar.

Të tjera ngjarje më pas, në një nga zonat e jetës së natës së Tiranës, me rreth 200 huliganë holandezë, të cilët u përplasën me policinë, duke përdorur shkopinj e gurë ndaj agjentëve, dy prej të cilëve u plagosën. Një makine policie iu thyen xhamat. Përleshje u raportuan edhe në periferi.

Gazeta më e madhe holandeze, “De Telegraaf”:

Në kryeqytetin shqiptar, tifozët e futbollit u përplasën me policinë një natë përpara finales së Conference League mes Feyenoord dhe AS Romës. Autoritetet shqiptare raportojnë se gjashtëdhjetë tifozë janë arrestuar të martën, mes tyre 12 holandezë. Pjesa tjetër ishin italianë. Dhjetë oficerë u plagosën dhe një makinë policie u dëmtua.

Sipas policisë, agjentët donin të pengonin një grup holandez që të kërkonte konfrontim me tifozët italianë. Ndër të tjera, ata u qëlluan me gurë dhe shishe. Pas kësaj, policia u përplas edhe me një grup tifozësh të Romës.

Kryetari i bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, i pranishëm në Tiranë, raportoi se rreth shtatë arrestime ishin kryer në kryeqytetin shqiptar. “Ndoshta për shkak të dhunës. Ne ende duhet ta zbulojmë”, – tha Aboutaleb. Arrestimet i quajti “të pashmangshme”, duke pasur parasysh konsumimin e alkoolit nga fansat.

France 24:

Përleshje të dhunshme shpërthyen në Tiranë, të martën përpara finales mes Romës dhe Feyenoord-it, pasi tifozët holandezë sulmuan një vendas dhe plagosën 10 oficerë policie.

Tetë tifozë të Feyenoord-it u arrestuan pasi goditën një shqiptar me karrige kur tregoi mbështetje për skuadrën e Romës dhe ai u dërgua në spital.

Një grup prej rreth 200 tifozësh të Feyenoord-it u përleshën me policinë, ndërsa përpiqeshin të shkonin në zonën ku ndodheshin tifozët e Romës. Përpara incidenteve, policia shqiptare tha se ka vendosur 2 mijë oficerë për të siguruar që ndeshja “të shndërrohet në një ditë feste”.