Aktualitet

Mediat ndërkombëtare, jehonë vendimit për Vjosën “Park Kombëtar”!

Media të rëndësishme ndërkombëtare i kanë bërë jehonë vendimit të qeverisë për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”. Në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama publikon artikuj kushtuar Vjosës nga “The Guardian”, “France 24”, “Spiegel Wissenschaft”, “Frankfurter Allgemeine”, etj.

Edhe aktori i famshëm hollivudian, Leonardo DiCaprio, i njohur si aktivist në mbështetje të mjedisit, reagoi duke përshëndetur vendimin për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar. Në një mesazh në rrjetet sociale, DiCaprio e quan “historik” dhe shkruan se “tashmë Vjosa do të rrjedhë e lirë përgjithmonë”. Sipas tij, ky vendim “përbën vizionin e ri për ruajtjen globale të ujit”.

Eshtë bërë historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Europë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme!

Me vendimin për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, qeveria shqiptare merr përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit e të gjithë krahët e tij.

Më 13 mars, lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes dhe që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.

Më 13 qershor të vitit 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” lidhur me nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se lumi Vjosa dhe lugina e tij përbëjnë një park shumë kompleks, u mor edhe ekspertizë ndërkombëtare krahas asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës, “Park Kombëtar”, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.