Celebrities Live From Tirana

Megi Pojani për Mehdi Bushatin: “Sadist, gjakpirës, përbindësh i pangopur”

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio moderatorja dhe influencerja më e famshme e momentit, Megi Pojani. Rikujtojmë, se Presidenti i Republikës Ilir Meta pak ditë më parë dekoroi një nga drejtuesit më të spikatur të sportit shqiptar ndër vite, Mehdi Bushatin.

Ne e mbajmë mend se gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri u krijua një sistem sundues diktatorial i cili u mundua të siguronte mbijetesën e tij nëpërmjet disa metodave ku shumë njerëz janë persekutuar, hetuar, dënuar në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit.

Së fundmi mbi dekorimin e Bushatit ka patur reagime të shumta nga ish-të përndjekur politik. Për këtë ka reaguar edhe Megi e cila së fundmi ka ngritur një peticion për ç’dekorimin e tij.

Por se çfarë e lidh Megin me Mehdiun, ajo na tregon më shumë vetë për mikrofonin e “Top Albania Radio”-s:

Komunizmi është një temë që na ka shoqëruar gjithmonë, që të vogla. Mehdiu ka qenë vrasës, gjyshi im është hetuar dy herë nga ai. Ka qenë sadist i tmerrshëm, gjakpirës, përbindësh i pangopur. Ai ka qenë ushtari më i zellshëm i regjimit dhe tani është dekoruar nga Ilir Meta me titullin “Kalorës i Flamurit”. Unë nuk jam marrë asnjëherë me nisma politike, menduam të treja motrat se ishte momenti që duhet të reagojmë. Mehdiu ka lënë gjurmë nga ana mendore e shpirtërore te gjyshi im madje dhe shenja fizike. Mehdiu eksperimentonte me trupat e djemve të rinj, ka pasur tortura, të kafshonte dhe të pështynte gjakun në fytyrë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me xhaxhain tim. Xhaxhai më ka treguar se e kafshonte në qafë, damarët e qafës dhe më pas gjakun ja pështynte në fytyrë.

Të njëjtën gjë bënte me gishtat e dorës ku shpërthente gjaku dhe ja pështynte në fytyrë. Ai bënte gara me të tjerë hetues se kush do ta torturonte më shumë të burgosurin e vetë. Nuk e bënte se ja kërkonte partia. Gjyshi im ka qenë themeluesi i Shoqatës Antikomuniste në Shqipëri. Çdo nismë për të përndjekurit politik ka qenë qesharake. Ata janë të lodhur nga burgu, orvatjet nëpër zyra. Ne të rinjtë që vimë nga këto familje duhet të ngrejmë zërin. Pasi ne morëm iniciativën mami dhe babi na kanë thënë mendohuni mirë. Ata janë skeptikë që kjo gjë nuk do të zgjidhet. Kushdo që është dhe do të mbajë pushtetin duhet të mësohet me rregullat tona. Dikush më tha që një i afërmi i tij ka vdekur nga duart e Mehdi Bushatit. Rastet janë të pafundme. Refuzoj të di që presidenti Meta e di këtë gjë. Jemi 11 mijë veta kundër këtij dekorimi. Ne synojmë me peticionin tonë të mbledhim firma dhe pas peticionit të zyrtarizohet gjithçka. Ende nuk kemi asnjë përgjigje nga presidenti Ilir Meta. 

Megi Pojani i drejtohet Bushatit me disa fjalë…

Të urrej për çfarë ke bërë me gjyshin tim, me familjen time e me shumë njerëz të pafajshëm. Jam e sigurt që nuk e bën mirë gjumin natën. Shpresoj të kesh dinjitetin t’i ta kthesh mbrapsht dekoratën sepse kjo është e turpshme.