Celebrities Music Showbiz

Mentor Haziri vazhdon me akuza të ashpra kundër Festivalit të Këngës!

Së fundmi është bërë zyrtare lista e 20 pjesëmarrësve për edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizonin Shqiptar. Juria ka vendosur emrat e këngëtarëve të cilët do të garojnë në edicionin e këtij viti, por një artist në veçanti mungoi në këtë listë. Është fjala për Mentor Hazirin, një emër aspak i panjohur për publikun.

Mentori e ka paralajmëruar konkurrimin në Festivalin e Këngës kur ishte i ftuar në studion e “Live From Tirana”. Në atë kohë ai  shpreh se:

Së shpejti do të konkurroj zyrtarisht në festivalin e fundivitit në Radio Televizionin Shqiptar në garën për Eurovizion. Kam bërë një këngë e cila është e jashtëzakonshme, ndoshta është një ndër këngët më të mira që kam bërë që flet për pandeminë, shpresën, dashurinë, jetën, guximin dhe durimin se gjithçka do të kalojë dhe do të bëhet më mirë për të gjithë. Është një lloj falenderimi edhe për mjekët të cilët kanë kontribuar në frontin e parë me virusin dhe është një realizim shumë i bukur që do t’ju surprizojë për mirë.

Këngëtari duket se është zhgënjyer nga lista e publikuar dhe nuk kanë munguar reagimet e tij ku akuzoi produksionin për korrupsion dhe mos-transparencë. Sipas tij nuk i është dhënë asnjë arsye se pse kënga e tij nuk është përzgjedhur për festivalin. Madje ai u shpreh se Festivali i Këngës nuk i do shqiptarët nga Kosova dhe ky është një turp. Organizuesit e festivalit nuk janë prononcuar mbi këtë temë, por pritet një konferencë për shtyp së shpejti nga Radio Televizioni Shqiptar.

Ndërkohë Mentori nuk ka kaluar pa përmendur dhe këngëtaren Rona Nishliu që ia kishte dalë me sukses në Eurovizion me performancën e saj dhe se kënga dëgjohet ende edhe sot kudo në botë. Sulmet e tij kanë qenë të drejtpërdrejta kundër jurisë.

Marre ju qoftë juve, komisioni i turpit; Ardit Gjebrea, Elton Deda, Klodian Çafoku, Marjan Deda, Zefina Hasani, Arta Marku, Redi Treni, që u frikësuat aq shumë nga një shqiptar i Kosovës sa që nuk ia dhatë mundësinë as të garojë me të tjerët, sepse jeni mësuar me festivale orgjish ‘playback’-u. Gjë që fatkeqësisht unë nuk e bëj dot, por këndoj live. Dhe mos harroni shumë shpejt në Kosovë bëhet Festivali i cili përfaqëson Kosovën në Eurosong. Dhe ju do të humbni shumë nga artistët kosovarë të cilët që nga viti 2000 sollën Pop-in, Rock– un, Hip Hop-in, Jazz-in e Funk-un në muzikën e Shqipërisë. Kjo këngë do të vijë së shpejti me videoklip dhe e shihni arsyen pse këta nuk e pranuan, sepse frikesohen nga e mira, nga origjinalja, nga muzika e vërtetë prandaj. Kam filluar të besoj në kombin kosovar.

Pas kësaj Mentori u gjykua për shkak se krijoi ndasi dhe përçarje me statusin e tij. Lidhur me këtë ai shkroi në një tjetër postim:

Për të gjithë ata që mendojnë se unë po bej ndasi kombëtare dhe ata që shajnë:
Kosova, dashurinë ndaj Shqipërisë e ka pa hile, jo rastësisht e gjithë shoqëria ime i kanë emrat e qyteteve shqiptare si Berat, Saranda, Durrsim, Shkodran, etj… e sidomos unë si fëmijë, ku në vitin 1996 përmes plumbave të ushtrisë serbe kam arritur të realizoj ëndrrën time për ta parë Shqipërinë e Skënderbeut, Tiranën e Kadaresë dhe Shkodrën e Fishtës. Dhe dashurinë time ndaj Shqipërise jo ky festival po asgjë tjetër nuk mundet me ma zbeh. Shumë gjyshër tanë vdiqën për Shqipërinë dhe ajo është e vulosur, Shqipëria duhet të dojë Kosovën me të njëjtën monedhë sepse ne dashurinë ndaj saj e kemi pa hile. Andaj ne nga Kosova meritojmë të përkrahemi më shumë moralisht se sa vetëm për show. Shqipëria dhe Kosova edhe po deshën nuk kanë ku e çojnë njëra-tjetrën, përndryshe edhe shteti i Kosovës është realitet që nuk duhet sabotuar prandaj ishte dhe thënia ime e cekur aty në fund.