Botë e Çuditshme Tech

Mënyra si TikTok arrin t’ju lexojë mendjen dhe jo vetëm!

Ekzistojnë katër qëllime kryesore për algoritmin e TikTok të cilat kompania i përkthen si “vlera e përdoruesit”, “vlera afatgjate”, “vlera e krijuesit” dhe “vlera e platformës.” Ky grup synimesh është nxjerrë nga një dokument që ofron detaje të reja se si aplikacioni video më i suksesshëm në botë ka ndërtuar një produkt kaq argëtues për të cilin disa do të thonin se shkakton varësi.

Dokumenti, i titulluar “TikTok Algo 101”, u prodhua nga ekipi inxhinierik i TikTok në Pekin. Një zëdhënëse e kompanisë, Hilary McQuaide, konfirmoi vërtetësinë e tij dhe tha se ishte shkruar për t’u shpjeguar punonjësve jo teknikë se si funksionon algoritmi. Dokumenti ofron një nivel të ri detajesh në lidhje me aplikacionin, duke ofruar mes të tjerash edhe një pasqyrë të të kuptuarit të natyrës njerëzore nga kompania, tendencat tona drejt mërzitjes, ndjeshmëria jonë ndaj shenjave kulturore që ndihmojnë në shpjegimin se pse është kaq e vështirë për t’u shkëputur.

Dokumenti gjithashtu heq perden e lidhjes së pandërprerë të kompanisë me kompaninë e saj mëmë kineze, ‘ByteDance’, në një kohë kur Departamenti i Tregtisë i SHBA po përgatit një raport nëse TikTok përbën një rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara. Ai pati sukses aty ku aplikacionet e tjera të videove të shkurtra dështuan, sepse e bën krijimin kaq të lehtë, duke u dhënë përdoruesve muzikë në sfond për të kërcyer ose meme.

Dhe për shumë përdorues, të cilët konsumojnë pa krijuar, aplikacioni është jashtëzakonisht i mirë në leximin e preferencave, pavarësisht nëse jeni të interesuar për socializmin, seksin, politikat konservatore apo një personazh të famshëm specifik. Është jashtëzakonisht i mirë në zbulimin e dëshirave të njerëzve edhe për veten e tyre. Një person i mahnitur nga aftësia e aplikacionit për të lexuar mendjen tha se:

Algoritmi TikTok e njihte seksualitetin tim më mirë se unë.

Dokumenti i ri u nda me ‘The New York Times’ nga një person i cili ishte i autorizuar ta lexonte, por jo ta shpërndante dhe që e siguroi atë në kushte anonimiteti. Personi ishte i shqetësuar nga shtytja e aplikacionit drejt përmbajtjes së rrezikshme që mund të shkaktonte vetëdëmtim. Aplikacioni dëshiron t’ju mbajë për aq kohë sa të jetë e mundur. Përvoja ndonjëherë përshkruhet si një varësi.

Për analistët që besojnë se rekomandimet algoritmike përbëjnë një kërcënim social, dokumenti TikTok konfirmon dyshimet e tyre. Rikujtojmë se drejtuesit e një paneli të Senatit të Shteteve të Bashkuara thirrën para disa ditësh drejtuesit nga YouTube, TikTok dhe Snapchat për t’u përballur me pyetjet se çfarë po bëjnë kompanitë e tyre për të garantuar sigurinë e përdoruesve nga ana e fëmijëve.