Aktualitet Bota Politikë

Merkel largohet pas 16 vitesh nga drejtimi i Gjermanisë. Basha: Një shembull frymëzues/ Rama: Danke

Angela Merkel u largua nga drejtimi i Gjermanisë, pas 16 viteve në funksionin e kancelares së një ndër vendeve më të fuqishme në Europë.

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen Angela Merkelit.

Basha shkruan se angazhimi i Merkel e bëri Europën më solidare, të bashkuar dhe të aftë të kalojë kriza jo të lehta. Më tej ai shkruan se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës për vëmendjen e saj.

Falemnderit Angela Merkel! Lidershipi juaj, në kohëra shumë të trazuara që kaloi bota, është një shembull frymëzues. Angazhimi juaj e bëri Europën më solidare, të bashkuar dhe të aftë të kalojë kriza jo të lehta. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës për vëmendjen tuaj. Gjithë të mirat në jetën tuaj dhe suksese në angazhimet e ardhshme- shkruan Basha ne Facebook.

Më herët gjatë ditës Kryeminstri Edi Rama i uroi ish-Kancelares Merkel mbarësi e shëndet në kapitullin e ri e jetës së saj të jashtëzakonshme, siç e quan ai.

Gjatë qeverisjes, Rama ka zhvilluar disa takime zyrtare me kancelaren, ndërsa mediet kanë dalluar marrëdhënien e mirë mes dy politikanëve. Ajo erdhi në Tiranë në muajin shtator, në vizitën e fundit që bëri në vendet e rajonit si kancelare. Rama i dha asaj kordonin e madh me yll të medaljes së kryeministrit për mirënjohje publike, ndërsa Merkel tha se ishte një nder i madh të punonte me kryeministrin e Shqipërisë.

Pas katër legjislaturash, kancelarja e parë e Gjermanisë që nuk doli e humbur nga zgjedhjet, vendosi të tërhiqej vetë. Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë kaloi nëpër plot momente të vështuira, ndaj dhe e quajtën “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar“, tha Merkel.