Aktualitet

Merkel viziton Shqipërinë, histori fjalësh, investime minimale!

Ndonëse Gjermania konsiderohet si motori ekonomik i BE-së dhe një nga donatoret kryesore të politikave mbështetëse për vendet në zhvillim, investimet e huaja direkte nga sipërmarrjet gjermane në Shqipëri thuajse mungojnë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja direkte nga Gjermania pas viteve ‘90 është vetëm 183 milion euro ose 2% e totalit.

Në sondazhet e publikuara nga Dhoma Gjermane e Tregtisë, sipërmarrjet gjermane shpesh janë ankuar për nivelin e lartë të korrupsionit, mungesën e rregullave të lojës, tregtinë e pandershme, etj, çka i ka mbajtur larg vendit tonë, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit ku përqëndrimi i investimeve gjermane është më i madh.

Të dhënat e INSTAT-it bëjnë të ditur se Gjermania është partneri i katërt i Shqipërisë për eksportet në 2019-ën, me 4.7% të totalit. Shqipëria ka një varësi të madhe nga Italia, me gati 48% të totalit që i vuri në vështirësi eksportuesit vendas, sidomos të tekstileve e këpucëve gjatë periudhës së pandemisë koronavirus. E dyta është Kosova, 10% dhe e treta Spanja, me 8%, kryesisht për eksportet e naftës bruto.

Në këto nivele, Shqipëria ishte e parafundit në rajon, përveç Malit të Zi për peshën që zë Gjermania në eksportet e rajonit. Për 2019-ën, e para ishte Maqedonia e Veriut me gati 49%, Bosnje Hercegovina 15%, Serbia 13% e Kosova 8%. Si referencë merret 2019-ta, për shkak se ishte vit normal, pa përçarjen që shkaktoi pandemia në zinxhirin e eksporteve.

Produkti më i eksportuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë janë tekstilet e këpucët, me 53% ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku mbizotërojnë produktet e makinerive e pajisjeve, si dhe materialet kimike. Edhe për importet, Shqipëria është partnerja e fundit e Gjermanisë në rajon, me 7.2% të totalit.