Sport

Merr fund bojkoti i Kampionatit të Kategorisë Superiore

Superliga rinis më 4 Nëntor. Pas një muaji e gjysmë i jepet  fund bojkotit të Kampionatit të Kategorisë Superiore, çka përbën një lajm shumë të mirë për futbollin shqiptar. Vendimi i rëndësishëm u mor në mbledhjen e sotme të Ligës Profesioniste të Futbollit e pasoi përgjigjen zyrtare nga i Mandatuari i Qeverisë për Negociatat.

Një ditë më parë, Fidel Ylli siguroi se të gjitha kërkesat do të realizohen nga kryeministri Rama, por klubet duhej patjetër t’i jepnin fund bojkotit. Ylli deklaroi se kërkesat janë në tryezën e Kryeministrit, që siç u shpreh ka një mirëkuptim, por nuk pranohen shantazhe. Edhe më parë ishte bërë e ditur dakordësia për realizimin e 90% prej tyre por pritej zgjidhje për Ligjin e Sponsorizimeve.

4 kërkesat e Ligës Profesioniste të  Futbollit janë:

-Ndryshime në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, ç’ka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

-Përfshirjen e futbollit në TVSH-në e reduktuar me 6%.

-Faljen e gjobave dhe kamatvonesave.

-Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatim-fitimi mbi të ardhurat e futbollistëve nga 2-10 vite.