Aktualitet

Merrnin rryshfet, SPAK-u arreston dy oficerë të Policisë Gjyqësore në Elbasan!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK vuri nën hetim dy oficerë të Policisë Gjyqësore në Elbasan, ndaj të cilëve është vendosur “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim për paraqitje”, pasi akuzohen se merrnin para nga dy persona. Gjithashtu, SPAK-u ka vendosur masa arresti për tre shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve në pranga.

Mbi bazën e materialeve të referuara nga Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal nga BKH, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Ç.T dhe S.SH në detyrën e Oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si dhe shtetasi L.H, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Z.T dhe I.T, përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.45, datë 22.05.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur: Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” për personin nën hetim L.H, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Caktimi i masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Ç.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim, Z.T, i dyshuar për veprën penale, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore “për personin nën hetim, S.Sh, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Caktimi i masës së sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim L.T, i dyshuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Tiranë kanë ekzekutuar në datën 24.05.2023 masat e sigurimit personale të vendosur ndaj personave nën hetim të mësipërm.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.