Rajoni

Mes “trazirave”, Biden cakton një shqiptar ambasador të SHBA-së në Mal të Zi!

Presidenti amerikan Joe Biden caktoi një shqiptar me origjinë nga Maqedonia e Veriut ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi. Këtë post do ta mbajë tani, Begzat Aliun i njohur edhe si B. Bix Aliu, i cili ka shërbyer si zv.ambasador në Podogricë dhe si zv.shef i misionit të SHBA-së në Poloni.

Së fundi, ai ka qenë edhe i Ngarkuar i Përkohshëm me Punë në Ambasadën Amerikane në Budapest të Hungarisë. Një diplomat karriere, Aliu ka shërbyer vite më parë edhe në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë si zyrtar i marrëdhënieve publike.

Në njoftimin e përcjellë në website-in e Shtëpisë së Bardhë, theksohet se ai mban një Diplomë Mjekësie nga Universiteti i Prishtinës, Kosovë dhe një Diplomë Master të Studimeve Strategjike nga Kolegji i Luftës së Ushtrisë Amerikane në Carlisle të Pensilvanisë.

Është është fitues i çmimeve të shumta për performancë nga Departamenti i Shtetit dhe flet rrjedhshëm edhe gjuhën malazeze, atë polake, serbo-kroatishten, gjuhën maqedonase e shqipen.

Caktimi i tij vjen në kohën kur Mali i Zi është në ethet e krijimit të një ekzekutivi të ri, pas përmbysjes së qeverisë së Dritan Abazovicit në muajin gusht. Presidenti Milo Gjukanovic pritet t`i propozojë brenda shtatorit parlamentit të mandatuarin për krijimin e qeverisë së re.

Kreu i shtetit duhet ta bëjë këtë jo më vonë se 30 ditë nga momenti që u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së 43-të të Malit të Zi.