Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

Mesazhet e Ramës pas mbledhjes së Kryesisë: Vija e kuqe për punësimet në administratë, zgjatja e mandateve të Vetting-ut dhe ftesa për bashkëqeverisje!

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste ndodhet në një proces reflektimi, ndërsa paralajmëroi se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e partisë.

Rama paralajmëroi një vijë të kuqe e cila sipas tij do të garantojë kalimin në një nivel tjetër të cilësisë dhe qasjes së administratës shtetërore.

Në bazë të disa vendimeve, puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qëndër për qëndër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS dhe për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës, për të ecur më tutje dhe për të krijuar bazë të re. Ajo që do nënvizoja, është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS por e popullit shqiptar, janë në funksion të qeverisë dhe të gjitha strukturave të republikës bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet në fuqi. Ta kenë të gjithë të qartë, kjo nuk është propagandë, është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në nivel tjetër të cilësisë dhe adminitratës në shërbim me publikun.

 

Kreu i Qeverisë iu përgjigj më tej interesit të gazetarëve të cilë e pyetën për mundësitë e bashkëqeverisjes me Lulzim Bashën, zgjatjen e procesit të Vetting-ut dhe Reformën në Drejtësi.

Pyetje:

A ka një pazar mes jush e zotit Basha për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut?

Edi Rama: Zgjatja e mandatit të organeve të vetingu është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe nxjerrjen në pah të njerëzve me integritet.

Ky proces nuk mund të ndërpritet.

Nga ana tjetër ju kujtoj që reforma në drejtësi është një reformë e bazuar tek një partneritet shumë i ngushtë i pandërprerë dhe i padiskutueshëm me parnterët tanë aleatët tanë stratetgjik SHBA dhe BE.

Kështu që këtu besoj se vija është shumë e ndarë.

I bëtë dje kreut të PD një ofertë për bashkëqeverisje, a ishte e sinqertë?

Edi Rama: PS është në një proces reflektimi se proceset e reflektimit ne na kanë garantuar që të qënorjmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, na kanë ndihmuar edhe të kuptojmë se vetëpërmirësimi është domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin.

Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme por ne nuk do e harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë thjesht votat e anëtarësisë sonë por të shumicës dërrmuese të shqiptarëve e atyre duhet t’u japim shansin të përfshihen në familjen tonë politike, duke thyer barriera që koha i vendos dhe inercia i mban aty, e ti japim mundësi shqiptarëve të ndihen mirë për sa na takon jo se ne i bëjmë mirë të gjitha gjërat as se ne nuk bëjme gabimet tona, por se bëjmë gjithmonë më të mirën tonë që më e mira të bëhet dhe për të tjerët.

A do hyni në negociatë me PD për të siguruar votat për reformën në drejtësi?

Edi Rama: Reforma ne drejtesi nuk është dicka për t’u negociuar por për tu kryer dhe në këtë pikë është e qartë për të gjithë që kthim prapa nuk ka, qendrim në vend nuk ka, e kush i bie ndesh reformës në drejtësi i bie ndesh interesave të vendit, aleancave te vendit.