Aktualitet

Mesazhet fyese nga celulari i Presidentit Meta, Zëdhënësi Blushi: Skandal, do kërkohet hetim ndërkombëtar!

Presidenti i Republikës ka reaguar sot pas disa denoncimeve nga ish-deputetë dhe persona të tjerë për mesazhe fyese të marra nga Kreu i Shtetit. Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi tha se këto akte vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe do kërkohet hetim i menjëhershëm.

Presidenca akuzon se është keqpërdorur numri i telefonit të Presidentit Ilir Meta, duke u dërguar mesazhe qytetarëve sikur të ishte presidenti.

Këto akte të dëshpëruara- shton ai- kanë autorësinë e atyre të cilët i blenë dhe i vodhën mandatet e deputetëve më 25 prill dhe tani nuk po i gëzojnë dot.

Këto mesazhe janë dërguar drejt deputetëve të LSI dhe PD, mesazhe të ndryshme pakënaqësie me mënyrën si kanë vepruar në këto zgjedhje. Pasi deputetët kanë kthyer përgjigje kanë kuptuar që nuk është një mesazh i dërguar nga vetë Presidenti Meta, por numri zyrtar i telefonit personal ishte hakeruar.

E njëjta situatë ndodhi edhe me Kryedemokratin Basha vetëm pak muaj më pare. Në një mesazh drejtuar moderatores Eni Vasili, pretendohej se kreu demokrat i kërkonte që të pyeste Ramën nëse a do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen dhe t’ja linte vendin atij. Moderatorja sqaroi live për publikun, me fakte, duke publikuar mesazhet nga telefoni i saj dhe njëkohësisht mesazhet nga telefoni i Lulzim Bashës. Në telefonin e këtij të fundit ky mesazh mungonte!