Rajoni

Mesha e Krishtlindjes në Prishtinë, thirrje për paqe!

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt mesha e shenjtë e Krishtlindjes, që u drejtua nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për paqe. Kleriku tha se “paqja e njerëzve mbi tokë është dhuratë që vjen prej Zotit dhe i afrohet njerëzimit”.

Shpresa dhe lumturia nuk gjenden në pasurinë e tokës, as tek politika e pushteti, as te lavdia, por në mënyrë të mistershme fshihet brenda dhuntive dhe hireve që i marrim prej Zotit.

Me rastin e festës së Krishtlindjes, Ipeshkvia e Kosovës organizoi edhe pritjen solemne, në të cilën morën pjesë personalitete nga jeta politike e kulturore. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë pritje uroi Ipeshkvin Dodë Gjergji dhe besimtarët katolikë për​ Krishtlindje të gëzuar!

Presidentja Vjosa Osmani uroi të gjithë besimtarët e krishterë, që siç tha, “në këtë ditë të rrisin shpresën e të hapin zemrat”. Në një postim në Facebook shkruan:

Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja! Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë!

Krishtlindja është ndër më të rëndësishmet në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 e 25 dhjetorit. Sipas besimit ortodoks e katolik, në këtë ditë, nga Virgjerësha Mari erdhi në jetë, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë. Festa simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes.

Në meshën e mesnatës, para 7 mijë besimtarëve të mbledhur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit e ku u vendosën ekrane gjigantë, Papa Françesku u shpreh se mbi të gjitha, mendon për fëmijët e “gllabëruar” nga luftërat, si edhe nga varfëria e padrejtësia. “Por, Jezusi vjen pikërisht atje, një foshnjë në grazhdin e mbeturinave e të refuzimit”, – tha kreu i Kishës Katolike.

Ati i Shenjtë, i cili lëvizte i ulur në një karrocë me rrota, apeloi “të rizbulojmë kuptimin e Krishtlindjes”. Bergoglio nxit besimtarët të shohin një element thelbësor të djepit. “Grazhdi i varfër nxjerr në pah pasuritë e vërteta të jetës: jo paratë dhe pushtetin, por marrëdhëniet e njerëzit. Dhe personi i parë, pasuria e parë është Jezusi”, – deklaroi Papa.