Politikë

Meta argumenton kthimin në Kuvend të ligjit “Për ndryshimet për taksat kombëtare”!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 112/2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Me ndryshimet e propozuara, sipas Presidentit edhe në këtë ligj pjesë e paketës fiskale, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale, lirisë së veprimtarisë ekonomike, dhe barazisë përpara ligjit, duke krijuar regjim të diferencuar ligjor diskriminues.

“Propozimi nuk shoqërohet me një analizë që merr në shqyrtim parametrat fiskalë, për të mos krijuar një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të ekonomisë, të cilat do të duhet t`i nënshtrohen regjimeve të natyrave të njëjta”, deklaron Meta.

Sipas Presidentit, në këtë ligj diferencimi vazhdon në krahasim me subjektet që operojnë në importimin, tregtimin dhe përdorimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike, apo të atyre subjekteve që operojnë me produkte nga qumështi pluhur për prodhuesit e agroindustrisë.

“Vendosja e taksës për furnizimin me karburant të mjeteve lundruese në zonat e lira doganore, mund të shihet në dukje sikur ka për qëllim shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, të cilat furnizohen me karburant në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore, por vendosja e taksës e propozuar në 65 lekë/litër në vetvete përbën një trajtimi preferencial të diferencuar ndaj atyre subjekteve që operojnë në importimin e tregimin të karburantit në kushte normale ndaj të cilëve aplikohet një masë prej 90 lekë/litër.

Ky diferencim është thelluar më shumë me miratimin përfundimtar të kësaj takse në nivelin e 40 lekë/litër.
Vendosja e taksës për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur, hirra e qumështit dhe kremi i qumështit, përsëri mbetet e diferencuar.

Çdo masë që ka impakt ekonomiko-financiar, qoftë në formën lehtësuese për kategori të caktuara, duhet vlerësuar paraprakisht në raport me gjendjen e diktuar dhe jo vetëm nëse është në interesin e të gjithë shtetasve, por dhe të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të buxhetit publik, si dhe të përbëjë mekanizëm real të nxitjes së zhvillimit në një sektor apo nënsektor të caktuar”, deklaron Meta.

ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 112/2021 “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 25.11.2021, ka miratuar ligjin nr. 112/2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Ky ligj me shkresën me nr. 3098 prot., datë 26.11.2021 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Ky ligj është miratuar si pjesë e paketës fiskale, shoqëruar edhe nga ligji nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”.

Ky i fundit është kthyer nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13369, datë 10.12.2021, pasi pas shqyrtimit të dokumentacionit, raporteve të komisioneve parlamentare, si dhe vlerësimit të parashikimeve ekonomike të formalizuara përmes ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, dhe paketës fiskale që e shoqëronte atë, ky buxhet,

– në tërësinë e tij kishte një plan financiar antisocial:
– paraqiste problematika shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale;
– paraqiste problematika shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij;
– mungonte mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë;
– mungonte mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.

Arsyet e detajuara të kthimit të këtij ligji, përveçse i janë komunikuar Kuvendit, gjenden të publikuara edhe në link-un: https://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-115-2021-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/.

Ndërkohë që, si ligji për Buxhetin 2022, dhe paketa fiskale që e shoqëron, ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, por dhe ato në ligjin për taksat kombëtare, nuk mund të shihen të pandarë, pikërisht për impaktin që kanë në financat publike.

Ndryshimet e miratuar në ligjin për taksat kombëtare, përmes ligjit nr. 112/2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, deklarohet në relacionin shpjegues të nismës, se synojnë:

– vendosjen e një takse prej 100 lek/kg për qumështin pluhur për tregti;
– vendosjen e taksës për hirrë qumështi në vlerën 150 lekë për kg dhe ajo e taksës për krem qumështi në vlerën 150 lekë për litër;
– taksës për pijen e homogjenizuar në vlerën 16 lekë për litër; dhe
– me qëllim shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjete lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, që furnizohen me karburant në zonat e lira doganore/magazinat doganore, propozohet vendosja e një takse prej 65 lekë/litër mbi karburantin që përdoret për furnizimin e këtyre mjeteve lundruese në këto zona.

Lidhur me këto parashikime, vlerësohet se pavarësisht deklarimeve të sipërcituara në relacionin shoqërues të nismës, diferencimi vazhdon në krahasim me subjektet që oporojnë në importimin e tregimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike, apo të atyre subjekteve që operojnë me produkte nga qumështi pluhur për prodhuesit e agroindustrisë.

Vendosja e taksës për furnizimin me karburant të mjeteve lundruese në zonat e lira doganore, mund të shihet në dukje sikur ka për qëllim shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve të padrejta nga mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, të cilat furnizohen me karburant në zonat e lira doganore dhe magazinat doganore, por vendosja e taksës e propozuar në 65 lekë/litër në vetvete përbën një trajtimi preferencial të diferencuar ndaj atyre subjekteve që operojnë në importimin e tregimin të karburantit në kushte normale ndaj të cilëve aplikohet një masë prej 90 lekë/litër.

Ky diferencim është thelluar më shumë me miratimin përfundimtar të kësaj takse në nivelin e 40 lekë/litër.
Vendosja e taksës për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur, hirra e qumështit dhe kremi i qumështit, përsëri mbetet e diferencuar.

Kur produktet e mësipërme të importuara përdoren në agroindustri, përjashtohen nga kjo taksë, ndërsa për prodhues të tjerë jo të produkteve të bulmetit apo për konsum, vendoset taksa në import.

Pikërisht për këtë trajtim të diferencuar dhe preferencial, edhe deputetët kanë pasur qasje të ndryshme në raport me propozimin e Qeverisë që është miratuar, qasje kjo që duhet t`i nënshtrohej një analize dhe vlerësimi objektiv ne terma makroekonomikë.

Trajtimi fiskal i diferencuar, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese për mbrojtjen e të cilave Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim.

Veçanërisht argumentet e deputetit, z. Erion Braçe, të ngritura mbi paketën fiskale kanë theksuar nevojën që ligji për taksat kombëtare, pavarësisht se qëllimi është shumë i mirë, për t’u dhënë një hapësirë të re bujqve për qumështin e freskët pranë fabrikave, përjashtimi që është bërë në këtë ligj për fabrikat që përdorin qumësht pluhur nga taksa mbi qumështin pluhur, natyrisht që e bën nul të gjithë qëllimin e mirë të këtij ligji .

Më problematik mbetet fakti se përjashtimi i agroindustrisë nga kjo taksë që është realisht sektori që përdor pothuajse këtë produkt, nuk përputhet me synimin e projektligjit të përgatitur si pjesë e paketës fiskale të miratuar bashkë me këtë ligj, për të incentivuar rritjen e prodhimit në vend të qumështit, me qëllim mbështetjen e fermerëve vendas. Kjo duke marrë në konsideratë dhe faktin se, sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi.

Me ndryshimet e propozuara, edhe në këtë ligj pjesë e paketës fiskale, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale, lirisë së veprimtarisë ekonomike, dhe barazisë përpara ligjit, duke krijuar regjim të diferencuar ligjor diskriminues.

Disa subjekte në mënyrë preferenciale trajtohen, me ndërhyrje jo proporcionale në krahasim nevojat që ka vendi dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Propozimi nuk shoqërohet me një analizë që merr në shqyrtim parametrat fiskalë, për të mos krijuar një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të ekonomisë, të cilat do të duhet t`i nështrohen regjimeve të natyrave të njëjta.

Një nismë e kësaj natyre, para se të formalizohej, duhet të kishte marrë në analizë më parë nevojat e të gjithë nënsektorëve të ekonomisë, për të vlerësuar nëse ndërhyrja duhej në disa drejtime dhe nënsektorë, apo vetëm në një sektor në veçanti.

Në këtë mënyrë, çdo masë që ka impakt ekonomiko-financiar, qoftë në formën lehtësuese për kategori të caktuara, duhet vlerësuar paraprakisht në raport me gjendjen e diktuar dhe jo vetëm nëse është në interesin e të gjithë shtetasve, por dhe të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të buxhetit publik, si dhe të përbëjë mekanizëm real të nxitjes së zhvillimit në një sektor apo nënsektor të caktuar.

Ndaj në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 112/2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, duke vlerësuar se ky ligj krijon diskriminim midis subjekteve ekonomikë, si dhe nuk mbështetet në një analizë gjithpërfshirëse që synon stabilitetin ekonomik të vendit.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Ilir META