Politikë

Meta i përgjigjet Ramës: Në asnjë garë partiake deri më 24 korrik

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot homazhe tek shtatorja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemali.

Në një prononcim për mediat, Meta vuri theksin te fuqizimi i shtetit dhe forcimi i institucioneve të pavarura, si dhe integrimi evropian i vendit.

“Është një moment i rëndësishëm për të për të vlerësuar dhe përulur me nderim përpara jo vetëm sakrificave dhe një jete të tërë të atit themelues të shteti tonë Ismail Qemalit, por mbi të gjitha për të treguar jo vetëm nderimin ndaj personaliteti të jashtëzakonshëm të historisë tonë kombëtare, por është dhe një moment për të reflektuar të gjithë për të forcuar shtetin tonë, për të rivendosur sovranitetin e popullit tonë, për të forcuar të gjitha institucionet e pavarura, dhe mbi të gjitha për të përshpejtuar rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, e cila prej kohësh është në stacion”, u shpreh Meta.

Në lidhje me deklaratën e Ramës se më 6 mars do të jenë përballë popullit të 2 marsit, Meta tha se, “këto janë kurthe diletantësh dhe koha e teatrit të kukullave në politikë përfundoi me 25 prillin.

“Kështu që Presidenti as nuk ka marrë dhe, as nuk do marrë pjesë në asnjë garë politike partiake deri më 24 korrik. Sigurisht, kemi bërë premtimin solemn se mbas 24 korrikut do bisedojmë me popullin heroik të 2 marsit dhe të gjithë ata që i ka marrë malli të ballafaqohen me Ilir Metën do ta kenë këtë mundësi shumë shpejt”.