Aktualitet

Meta: “Më pret populli i 2 marsit!”

Nga Korça, Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “është me rëndësi rivendosja e integritetit të votës së lirë në themel të gjithë institucioneve”. I pyetur nëse mbështet një koalicion mes LSI-së dhe Sali Berishës, Meta tha:

Jemi këtu për të theksuar rëndësinë e rivendosjes të integritetit të votës së lirë në themel të gjithë institucioneve tona, sepse është tronditur mjaft rëndë. Ky është edhe një nga qëllimet e dekretit për 6 marsin dhe i inkurajoj të gjithë qytetarët e 6 bashkive të marrin pjesë në këto zgjedhje. I inkurajoj të gjithë forcat, aktorët të paraqesin kandidatë sa më të mirë, në mënyrë që qytetarët e këtyre 6 bashkive të kenë mundësi që të zgjedhin, të kenë mundësi që të besojnë. Dhe uroj që qytetarët të kenë më shumë respekt për votën e tyre. Vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje kanë të drejtë të kërkojnë llogari.

I pyetur në lidhje me vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e tij nga Kuvendi, Meta u shpreh se nuk ka asnjë interes se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese për vendimin e Parlamentit që e shkarkoi më 9 qershor të vitit të kaluar.

Do të vazhdojmë deri më 24 korrik. Unë e thashë që mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit dhe nga këto makinat e policisë që nuk i duroj dot fare para-mbrapa, sepse mezi po më pret populli i 2 marsit dhe unë mezi po pres që t’i jap më të mirën time atij populli të mrekullueshëm që ka nevojë për një lidership me karakter me integritet, që mban fjalën dhe që mbron qytetarët shqiptarë që dalin në mes të natës siç i keni parë dje në Tiranë dhe kudo tjetër në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare në mes të rrugës. Kështu që të jeni të duruar!

Një ditë më parë, Kryetari i Shtetit dekretoi 6 marsin si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki që kanë mbetur pa kryetarë dhe që janë: Durrësi, Shkodra, Vora, Rrogozhina, Lushnja e Dibra.