Politikë

Meta nga “vrapi i mëngjesit”: Lavdi Rinisë studentore, PD feston e ndarë

Në ditën e rinisë presidenti ka zgjedhur ta nisë duke vrapuar pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Meta është ndalur duke përcjellë edhe një urim.

“Gëzuar 8 Dhjetorin. Ditën e Rinisë. Lavdi Rinisë studentore”, u shpreh Meta.

Më herët edhe kreu i qeverisë Edi Rama përcolli një urim për të rinjtë.

Ndërkohë në kampin blu Basha dhe Berisha “të ndarë” nga njëri tjetri kanë paralajmëruar takime me të rinjtë demokratë.

Ditën e Rinisë kryetari aktual i PD Lulzim Basha ka bërë me dije se do ta përkujtojë me një takim në ambjentet e ArTurbinës, ndërkohë Ish-Kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se do të jetë në qytet Studenti ku do të zhvillojë takime si dhe homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit.

Ndërkaq, kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi 8 Dhjetorin e vitit 1990, si ditën që ndau të shkuarën nga e ardhmja dhe që ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë. Sipas Bashës, 31 vite më vonë, thirrja ‘Për Shqipërinë si gjithë Europën’ mbetet një kushtrim për të përmbushur amanetin e të rinjve.

“8 Dhjetori 1990, është dita që ndau të shkuarën nga e ardhmja dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë. 31 vite më vonë, thirrja për Shqipërinë si gjithë Europa mbetet një kushtrim për të përmbushur amanetin e të rinjve dhe të rejave që sakrifikuan për liri e demokraci, si dhe për të mbajtur gjallë forcën, guximin dhe idealet e Dhjetorit ‘90, përballë një tjetër diktature, që po varfëron dhe largon bijtë dhe bijat e shqiptarëve, atë të korrupsionit. Gëzuar 8 Dhjetorin!”, shkruan Basha.