Politikë

Meta për Lefter Maliqin: Është vullkan, ka një vendosmëri që vetëm me Sali Berishën krahasohet!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike, ku iu ka prezantuar kandidatin e opozitës për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi.

Pasi bëri një rezyme të situatës politike ku ndodhet vendi ynë, Meta nuk la pa i thurur elozhe kandidatit Maliqi, të cilin madje e krahasoi edhe me Sali Berishën, kur vjen puna te vendosmëria që ai ka në të bërit opozitarizëm.

Sipas Metës, opozita ka përgjegjësitë e saj për situatën në të cilën ndodhet vendi, ku përmendi lënien e mandateve, që e cilësoi si një pazar të Lulzim Bashës.

“Opozita ka përgjegjësitë e saj, lënien e mandateve, lënien e pushtetit lokal. Këto ishin pazaret e Lulzim Bashës. Por, tani jemi këtu. Kemi Lefterin këtu, kandidati jo vetëm i Partisë së Lirisë, por edhe i gjithë opozitës. A mund të kishte Kuçova një njeri që mund të dëgjohej zëri i Kuçovës, më shumë se Lefter Maliqi të jetë kryetar i bashkisë. Lefteri është vullkan. Edhe në Parlament, i vetmi opozitar që ishte, ishte Lefteri. Dhe me këtë mundësi që ne dhe ju po i jepni, të jeni të sigurt që për t’ju dëgjuar zëri Kuçovës do të jetë e para, se ju e dini që ky ka një vendosmëri që vetëm me Sali Berishën krahasohet.”