Aktualitet

Meta reagon për situatën e zjarreve në vend!

Mbrëmë në mesnatë, Serajet e Toptanëve u përfshinë nga flakët. Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta ka reaguar me anë të një postimi ku e cilëson akt kriminal dhe të dënueshëm. Ai u kërkon institucioneve ligjzbatuese të nisin hetimet e të vendosin drejtësi në vend.

Tirana u gdhi sot me një tjetër monument kulture, “Sarajet”, gati të shkrumbuar nga zjarrvënia e qëllimshme.  Ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare.

Viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash. Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë.

Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Nxis organin e Prokurorisë, SPAK si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjegjëse të marrin çdo masë efektive për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë penale të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale.