Politikë

Meta “vesh” kostumin e Presidentit/ I hapur për të takuar Ramën, Berishën e komplimenton ndërsa opozitës i kërkon të bëj detyrat.

Presidenti Ilir Meta foli nga Korça për situatën politike në vend duke theksuar se me kthimin e opozitës në parlament janë rikthyer mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë funksionale.

Meta deklaroi se para zgjedhjeve kishte zero opozitë dhe situata ishte katastrofike duke theksuar se tashmë opozita duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament që institucionet e tjera të rimarrin veten dhe të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë.

I pyetur nëse është i gatshëm të takohet me Kryeministrin Rama në kuadër të krijimit të Qeverisë së re, Meta u shpreh se është i detyruar të respektojë kushtetutën.

Sa i takon situatës së demokracisë edhe ajo kuptohet që është në gjendje problematike. Është shumë më mirë se situata katastrofike para 25 prillit në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në institucionet vendore.

Pas 25 prillit janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë funksionale dhe ai është qëllimi ynë kryesor dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve që zëri i tyre të dëgjohet. Nuk jemi këtu për të interpretuar dhe për të nxjerrë nga konteksti atë që kam thënë unë. Kam shumë kërkesa nga gazetarët për të dalë në studio.

E kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë pas 25 prillit për arsye se besoj se protagonizmi im nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta por i imponuar në mbrojtjen të demokracisë në kushtet e braktisjes nga opozita të institucioneve dhe në kushtet e maxhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë dhe ndryshimin. Jam i detyruar të respektoj kushtetutën. Askush nuk duhet të presë detyrat që u takojnë aktorëve të tjerë. Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament dhe institucionet e tjera të rimarrin veten dhe të respektojnë kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta ka komentuar aksionin e nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha, që ai e quan si rikthimin e sovranitetit në PD. Si verën, e quajti presidenti, ish-kryeministrin, për të cilin tha se sa më shumë kohë kalon aq më tërheqës dhe demokrat bëhet.

Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla sepse nuk është kjo detyra ime. Berisha nuk mund të rri pa thënë  që është si vera sa më shumë kohë kalon aq më tërheqës bëhet por edhe aq më demokrat bëhet, tha Meta, në një deklaratë për mediat në Korçë.

 

Presidenti Ilir Meta ndodhet këtë të premte në qytetin e Korçës, prej ku ka vlerësuar katër ish të përndjekur politikë. Gjatë vizitës së punës në Korçë, Kreu i Shtetit ka dekoruar të përndjekurit Ylber Merdani, Shpresa Ballolli Merdani, Nevruz Golka dhe Petrit Bazelli. Në fjalën e tij, Meta është shprehur se ata janë shembull i vetëdijes qytetare e kombëtare, si dhe shembull frymëzimi për brezat e sotëm e të ardhshëm.