Bota

Meteor apo UFO?! Videoja që po bën xhiron e rrjetit në Turqi! (Video)

Një video po qarkullon së fundmi në Turqi, ku sipas atyre që e kanë publikuar duket një meteor i gjelbër që bie në Tokë.

Kjo ka ngritur hipotezat e prezencës së UFO-ve, megjithatë autoritetet nuk kanë reaguar për këtë video që është bërë virale.

Videot tregojnë objektin që bie mbi qytetin e Izmirit në Turqi, para se të zhduket në horizont me një ndricim verbues që natën e kthen në ditë. Të tjera klipe tregojnë një shpërthim drite të gjelbër para se meteori të bjerë në tokë dhe e gjithë kjo ndodhi në orën 2 të mëngjesit të së shtunë. Imazhet e rënies së pabesueshme të meteorit janë ndarë në mediat sociale dhe kjo ka bërë që të ndizen spekulimet nëse bëhej fjalë për një copë shkëmb nga hapësira, një satelit të rrëzuar apo edhe përplasjen në tokë të një UFO-je.

Dëshmitarët raportuan se dëgjuan një shpërthim të fortë në momentin e kur objekti, cfarëdo qoftë ai, po binte në tokë, ndoshta në momentin e përplasjes, ose ndërsa po binte në atmosferë. Pavarësisht zërave për vizitorë nga një planet tjetër apo për rrëzimin e një sateliti, dr Hasan Ali Dal, ka dhënë një shpjegim më të thjeshtë për ngjarjen.

Mund të konsiderohet një version më specifik i fenomenit të njohur si yje që bien. Profesori i astrofizikës shpjegoi në tëitter se ngjarja është e njohur si top zjarri dhe ndodh kur meteori nis të digjet në atmosferë. Toka aktualisht po sheh shiun e meteorëve Perseid, që ndodh çdo vit mes korrikut dhe gushtit. E kjo ndodh kur toka kryqëzon rrugën me mbetjet e lëna pas nga kometa Swift Tuttle, me meteorët që udhëtojnë me një shpejtësi të pabesueshme.

Por ajo që ka habitur më shumë në rastin e Izmirit, është ngjyra e gjelbër, që sidoqoftë mund të ketë një shpjegim. Sipas ekspertëve ka të ngjarë që këtu të luajë rol përbërja e meteorit të rënë që me sa duket ka sasi të mëdha nikeli.