Celebrities Film & Tv Showbiz

Michaela Coel emocionon me fjalimin e saj të paharrueshëm në “Emmy Awards”!

Autorja Michaela Coel gjatë ceremonisë së “Emmy Awards”, nderoi shkrimtarët në atë që u bë ndoshta një nga fjalimet më të paharrueshme të natës në edicionin e 73-të ndarjes së çmimeve. Aktorja dhe shkrimtarja 33-vjeçare fitoi çmimin “Shkrimi më i mirë për një serial ose film të antologjsë” mbrëmjen e së dielës për serialin e saj të suksesshëm të HBO “I May Destroy You”.

Coel, e cila krijoi serinë dhe luan personazhin kryesor, Arabella, mbajti një fjalim prekës në skenë, ndërsa ia kushtoi çmimin të mbijetuarve të abuzimeve seksuale. Michaela është vetë një e mbijetuar e abuzimit seksual, me përvojat e saj që shërbejnë si bazë e serialit të saj “I May Destroy You”. Në këtë kategori, Coel fitoi mbi Laura Donney – “WandaVision”, Scott Frank – “The Queen’s Gambit”, Chuck Hayward dhe Peter Cameron – “WandaVision”, Brad Ingelsby – “Mare of Easttown” dhe Jac Schaeffer – “WandaVision”. Në fjalimin e saj ajo u shpreh:

Shkruani përrallën që ju frikëson, që ju bën të ndiheni të pasigurt, që nuk është komode. Ju sfidoj të guxoni. Në një botë që na josh të shfletojmë jetën e të tjerëve për të na ndihmuar të përcaktojmë më mirë se si ndihemi për veten dhe të ndiejmë nevojën për të qenë vazhdimisht të dukshëm, sepse dukshmëria e këtyre ditëve duket se në një farë mënyre barazohet me suksesin. Mos kini frikë të zhdukeni prej saj, prej nesh për një kohë dhe shikoni se çfarë ju vjen në heshtje.

Ajo e përfundoi fjalimin e saj duke deklaruar se ia kushton këtë çmim çdo të mbijetuari të sulmit seksual. Coel ishte gjithashtu e nominuar për “Regjia më e mirë për një serial ose film të antologjsë”, “Aktorja kryesore për një serial ose film të antologjsë” dhe “Seriali ose filmi më i mirë”.