Bota

Microsoft raport për Mbrojtjen Dixhitale, “Rusia në krye të sulmeve kibernetike!”

“Rusia po bëhet më agresive e më e suksesshme ndërsa hakerët rusë po intensifikojnë sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara e vendeve të tjera”. Në këtë përfundim del një raport i ri i kompanisë Microsoft kushtuar Mbrojtjes Dixhitale për vitin 2021.

Rusët janë përgjegjës për 58% të sulmeve kibernetike nga qeveritë në botë e tani janë të suksesshëm në thuajse çdo të tretën përpjekje. Grupet me bazë në shtetin rus kanë forcuar pozicionin, duke u bërë kërcënim akut për ekosistemin dixhital global. Ata përmirësuan aftësitë për t’u përshtatur me ndryshimet në teknologji, çka vështirëson përpjekjet për t’i zbuluar.

Objektivi më i shpeshtë i Rusisë janë Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Ukraina e Britania. Tashmë, Moska po përqëndrohet në mbledhjen e informacioneve të zbulimit. Më shumë se gjysma e sulmeve kibernetike ruse po vënë në shënjestër agjencitë e përfshira në politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen.

Pas Rusisë, numri më i madh i sulmeve kibernetike u realizua nga Koreja e Veriut, Irani e Kina.

Koreja komuniste vuri në shënjestër kompanitë e kriptomonedhave, ndërsa Irani katërfishoi sulmet ndaj Izraelit, me tensionet mes dy vendeve që rriten vazhdimisht. Edhe Kina ishte aktive, duke u përqëndruar në përpjekjet kibernetike, në mbledhjen e informacioneve të zbulimit. Një pjesë e madhe e përpjekjeve të Pekinit, përmes një aktori kërcënues të quajtur Chromium, u përqëndruan në mbledhjen e informacioneve sociale, ekonomike dhe politike në Indi, Malajzi, Mongoli, Pakistan e Tajlandë. Po ashtu, Kina përdori Nikel-in, i cili i përqëndroi përpjekjet në Ministritë e Jashtme të vendeve të Amerikës Qendrore e Jugore.

Koreja e Jugut, Turqia dhe Vietnami janë gjithnjë e më aktivë në hapësirën kibernetike, ndonëse vëllimi i sulmeve kibernetike të kryera prej tyre, rezulton shumë i vogël, në krahasim me të Rusisë, Koresë së Veriut, Iranit e Kinës.