Bota

Miliona vdekje nga sëmundjet që iu rezistojnë ilaçeve/Kujdes me antibiotikët!

Në vitin 2019, infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistuese ndaj antibiotikëve kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.2 milion personave në botë. Në këtë përfundim del ai që po përshkruhet si “studimi më i madh për këtë çështje”. Shifra rezulton edhe më e lartë sesa ajo e vdekjeve të përvitshme nga malaria dhe SIDA.

Në raportin e publikuar nga revista mjekësore “The Lancet”, theksohet:

Shtetet e varfra janë më të prekurat nga rezistenca ndaj baktereve, duke kërcënuar shëndetin e çdo personi.

Në këtë dokument të rëndësishëm, rekomandohet që të ketë investime urgjente në ilaçe të reja ndërsa ato ekzistuese, të përdoren më mirë.

Përdorimi i tepruar i antibiotikëve për infeksione jo shumë të rënda, nënkupton se ato po bëhen më pak efektive kundër problemeve serioze shëndetësore. Fatkeqësisht, njerëzit po humbasin jetën nga infeksione për të cilat janë trajtuar më parë, pasi bakteret që i shkaktojnë bëhen rezistente ndaj trajtimeve.

Shifrat për numrin e vdekjeve, bazohen në studime të kryera në 204 shtete nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë, nën drejtimin e Universitetit të Uashingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata besojnë se rreth 5 milion njerëz kanë ndërruar jetë në vitin 2019 nga sëmundje ku ka luajtur rol rezistenca ndaj baktereve. Ndër to, 1.2 milion vdekje u shkaktuan drejtpërdrejtë nga ky problem.

Shumica e vdekjeve nga rezistenca ndaj baktereve kanë ardhur nga pneumonia apo të tjera infeksione të frymëmarrjes dhe të gjakut që çojnë në sepsë (helmim gjaku). Mikrobet infektuese gjenden në çdo vend të ndotur. Në organizmin tonë ato mund të arrijnë nëpërmjet lëkurës së dëmtuar ose përmes bajameve e dhëmbëve të prishur. Me të kaluar në gjak, këto mikrobe shumohen e shkaktojnë helmim të organizmit. Helmimi i gjakut si sëmundje manifestohet me temperaturë të lartë, lodhje të organizmit, dhembje trupi etj. Shërimi i sëmundjes bëhet me antibiotikë e nëse kjo nuk ndodhe, pacienti humb jetën.