Aktualitet

Ministri britanik i Emigracionit foli për largim të kriminelëve shqiptarë, kryediplomatja Xhaçka: E tronditur nga linçimi!

Tirana zyrtare reagon ndaj deklaratave të ministrit britanik për Emigracionin, i cili komentoi momentet e kthimit për në Shqipëri të emigrantëve shqiptarë që kishin hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Fjalët e Robert Jenrick kanë shokuar ministren për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka. Përmes një videoje në rrjetin social, Twitter, Jenrick theksonte se personalisht ka ndjekur momentet e dëbimit të disa shqiptarëve drejt Tiranës.

Eshtë ora 4:00 e mëngjesit. Jam këtu për të parë largimin e emigrantëve shqiptarë. Jam takuar me stafin fantastik që është duke punuar vazhdimisht për të gjetur shqiptarët, për t’i ndaluar ata, për t’i dërguar në aeroport dhe drejt Tiranës.

Sipas ministrit britanik, kjo formë e dëbimit në vendin e origjinës, jo vetëm që ndihmon në sigurimin e kufijve, por edhe i bën më të sigurta komunitetet, duke i “larguar kriminelët nga shteti”.

Këta emigrantë, jo vetëm që janë këtu ilegalisht duke tentuar të mashtrojnë sistemin përmes udhëtimit me barka të vogla në Kanalin Anglez, por të tjerë janë kriminelë të rrezikshëm, të dënuar për shkelje të lidhura me drogën.

Gjuhën e përdorur nga ministri britanik, kryediplomatja Xhaçka e ka konsideruar si “linçim ndaj gjithë kombit”, disa javë pasi kryeministrat e të dy vendeve kanë përshëndetur rolin e diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.

Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdori një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin.

Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Britanisë së Madhe, ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në  kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!

Sipas autoriteteve britanike, në vitin 2022 u shënua shifër rekorde e njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 33 mijë e 500.