Aktualitet

Ministri Manja paralajmërim për gjobëvënësit me “maskën” e shtetit!

Në një dalje për mediat, Ministri i Drejtësisë denoncoi një rast të inspektorëve të AKU-së Fier, që sipas tij u raportuan në Njësinë Antikorrupsion nga pronari i një subjekti të gjobitur pa të drejtë.

Ulsi Manja bëri të ditur se tashmë inspektorët po hetohen nga Prokuroria, ndërsa shtoi se do të kallëzojë edhe drejtuesin e tyre, si person në dijeni. Manja shtoi se rasti në fjalë ka ndodhur në datat 14 e 15 shtator dhe ky hetim është shoqëruar me pamje filmike.

Rastin e kam ndarë nga të tjerët sepse lidhet me një qytetar që nuk ka pranuar të japë ryshfet. Meriton mirënjohjen time dhe është shembulli që duhet ndjekur nga të gjithë, që të mos heshtin. U dërgojnë edhe fjalë: Kalo njëherë andej vëlla! Kalo e na sill atë plaçkën! Mos heshtni, se heshtja është fitore për ta!

Qytetari është vendosur nën presion nga disa inspektorë të AKU-së në Fier. Nuk ka pranuar të paguajë, duke njoftuar Njësinë Antikorrupsion. I është përgjigjur duke njoftuar Njësinë Antikorrupsion dhe jemi vënë në dispozicion. Gjobëvënësit që nuk përfaqësojnë aspak qeverinë, duhet të përballen me drejtësinë dhe nuk do ta kenë të lehtë. Nuk mbaron me kaq! Do të vendos në kallëzim edhe drejtuesin e tyre, si person në dijeni, sepse drejtuesit nuk mund të bëjnë të paditurin për veprimet e institucioneve. Drejtuesit duhet ta dinë në kohë reale veprimtarinë e inspektorëve në terren. Mua nuk më rezulton rasti konkret të ketë një praktikë argumentimi të gjobave që iu shkon njerëzve. Këta inspektorë do të përgjigjen përpara ligjit dhe prokurorisë.

Duhet theksuar se pa qytetarin, kjo s’do ishte bërë e mundur. Hetimi i mëtejshëm i rastit në fjalë ka ndodhur më data 14 dhe 15 shtator në Fier, është shoqëruar me pamje filmike dhe inspektorët janë me emër e mbiemër. Uroj që Prokuroria të vihet në lëvizje!