Aktualitet

Ministri Peleshi: Përballja me zjarret jo vetëm me kapacitete ajrore!

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi foli sot mbi situatën e zjarreve, duke theksuar se “çështja e përballjes së emergjencës së zjarreve nuk mund të zgjidhet vetëm me kapacitete ajrore”.

Nuk dua t’i iki përgjegjësisë, por kam një apel ndaj gjithë zinxhirit të mbrojtjes në situatë emergjence. Duhet ta luftojnë mentalitetin që zjarrin e shuan FA me helikopter. Nëse e shohim kështu, atëherë ju them se është e pamundur edhe sikur të kishim buxhetin e Greqisë apo Turqisë. Ne vitin e shkuar patëm qindra vatra zjarri dhe jo një, por edhe 10 helikopterë të kishim do të ishte e pamundur ta përballonim situatën.

Sipas tij, “çështja fillon nga reagimi i pushtetit vendor”.

Fillon nga kryeplaku, komuniteti e më tej. Ne jemi hallka e fundit. Ne kemi prej 3 vitesh përgjegjësinë për të koordinuar sistemin e emergjencave dhe nuk kemi kapacitetet tona për të përballur të vetëm emergjencat. Ne nuk kemi zjarrfikës që janë në tagrin e pushtetit vendor. Parandalimi i vatrave të zjarrit nis nga komuniteti, fshati zjarrfikësit dhe kur shterojnë kapacitet e tyre futen Forcat e Armatosura dhe forcat ajrore.

Peleshi kujtoi situatën e zjarrit në Karaburun vitin e kaluar.

Në Karaburun, ushtarëve tanë u duhej të ngjiteshin 5 orë në këmbë për shkak të terrenit të thyer. Çfarë do të mund të merrnin me vete veç një lopate xheniere?

Ministri theksoi se “ne nuk kemi helikopterë apo avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve”.

Ky është fakt dhe pse nuk kemi mund ta diskutojmë. Por mendoj se një vend i vogël si Shqipëria nuk i leverdis të investojë për të blerë një avion kanadez për fikjen e zjarreve dhe të kemi avionin tonë, sepse kushton 50 milion euro një avion. Nuk jemi akoma në atë fazë që ne të investojmë 50 milion euro, ndërkohë që nuk kemi as kapacitete për ta mirëmbajtur. Ne nuk kemi kapacitete mirëmbajtje sepse është tregu shumë i vogël. Shqipëria mirëmban flotën ajrore me kontraktim jashtë vendit se këtu nuk ka kapacitete.

Duke qenë jashtë vendit kostot tona janë edhe më të mëdha se sa mund t’i ketë Italia e Turqia. Vështirësitë e mirëmbajtjes kur nuk i ke këtu kapacitetet janë të mëdha, ndaj blerja e një avioni të tillë është ekonomikisht dhe praktikisht e pamundur. Kemi 4 helikopterë Cougar, një prej të cilëve është në dispozicion të shuarjes së zjarreve.

Niko Peleshi ishte sot për një seancë dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, me kërkesë së deputetëve të grupit parlamentar demokrat lidhur me ndryshimet e fundit të propozuara në projektligjin “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” si dhe me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit.