Rajoni

Ministri serb Vulin kërkon që Amerika të bindë Kosovën për zgjidhje!

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, tha sot se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, ndërsa foli për bllokadat e vendosura dje nga serbët në veri të Kosovës e që po hiqen, duke nisur me Rudarën, pranë Mitrovicës së Veriut. Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Brendshme, Vulin porositi serbët në Kosovë “të mos i besojnë Prishtinës, por Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksander Vuçiç”.

Ai deklaroi se nuk pret gjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Europian, me ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për Asociacionin, të formojë menjëherë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Unë pres që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për mirë. Të vijojnë të përdorin ndikimin për të bindur Kurtin, të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës e Beogradit, por është një çështje ndërmjet Serbisë e Bashkimit Europian, si edhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë. Shpresoj që këtë muaj të kemi bisedime, që do të çojnë në arritjen e paqes në Kosovë.

Po ashtu, zyrtari serb vlerësoi se “bashkësia ndërkombëtare ka patur reagimin e duhur, sa i përket tensioneve në Kosovë”.

Ata gjithmonë do të jenë në anën e Kosovës, por ka disa çështje kur nuk mund të jesh.

Komentet e Aleksander Vulinit vijnë në kohën kur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, që të takohen në Bruksel, për të vazhduar dialogun. Në takim parashikohet të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura.

Më herët gjatë ditës, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se 24 orët e fundit, bënë “të pamundurën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në komunat e veriut”. Petkoviç u shpreh i kënaqur që u realizuan përpjekjet e tyre se siç tha “shtetet e QUINT-it i bënë presion kryeministrit Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për reciprocitet lidhur me targat e dokumentet serbe, si dhe për gjetjen e zgjidhjes në Bruksel”.