Aktualitet

Ministria e Arsimit reagon mbi daljen e testeve online, po hetohen ata që i publikuan!

Ministria e Arsimit, reagon pas publikimit online të pyetjeve të testit të gjuhë-letërsisë, që u zhvillua sot, në vendin tonë. Provimi i dytë i maturës shtetërore, nisi në orën 10:00 dhe vetëm disa minuta më vonë, në rrjetet sociale qarkulluan tezat. MASH përfshin dhe mundësinë, se mund të jetë persona të caktuar nga parti politike, për të prishur procesin.

“Vemë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cenohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit”.

Ministria e Arsiit thotë se do të hetojë këdo që ka publikuar tezat.

“MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar”.

34 mijë maturantë testuan sot njohuritë e tyre në gjuhën shqipe dhe letërsi.

Ndërkohë, në 11 qershor do të testohen për matematikën ndërsa në 15 qershor për lëndën me zgjedhje.