Bota

Ministria e Brendshme: Ulet numri i refugjatëve ukrainas që vijnë në Gjermani

Fluksi i refugjatëve ukrainas që hyjnë në Gjermani është ngadalësuar në rreth 2,000 persona në ditë.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, tha më 14 maj, se numri i refugjatëve është ulur nga 15,000 njerëz në ditë që hynin në Gjermani në mesin e muajit mars, kur kishin kaluar vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Faeser tha për Rheinische Post se shumica e refugjatëve ukrainas në fund do të kthehen në Ukrainë.

Megjithatë, ajo tha se “disa do të qëndrojnë nëse njerëzit shohin mundësi për të gjetur hapësirë në tregun gjerman të punës”.

Gazeta gjermane, Welt am Sonntag, raportoi më 14 maj se mbi 700,000 refugjatë ukrainas janë regjistruar në autoritetet gjermane qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Rreth 40 për qind e refugjatëve ukrainas janë të mitur dhe më pak se 80 për qind janë gra, sipas gazetës, e cila citoi të dhënat e Ministrisë së Brendshme.

Mbi 6 milionë ukrainas janë larguar nga shteti qëkur ka nisur lufta, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë Zelensky thotë se askush nuk mund të parashikojë kohëzgjatjen e luftës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se përderisa ushtria e tij po bën gjithçka për të larguar forcat ruse nga territori ukrainas, “sot askush nuk mund ta parashikojë se sa do të zgjasë kjo luftë”.

Gjatë një adresimi drejtuar kombit në orët e vona të 13 majit, Zelensky tha se përfundimi nuk do të varet vetëm nga populli ukrainas, por nga “partnerët tanë, nga vendet evropiane, nga e gjithë bota e lirë”.

Forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha qëkur kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe në ofensivën që aktualisht po zhvillojnë në lindje të Ukrainës, kanë bërë pak përparime.

Por, përderisa forcat ruse dështuan në përpjekjet e tyre që shpejt të marrin kontrollin e gjithë Ukrainës dhe të rrethojnë forcat ukrainase, Kievi tani thotë se lufta po hynë në “fazën e tretë”, në të cilën, forcat ruse do të tentojnë të mbrojnë territorin që veçse kanë marrë nën kontroll.

“Kjo tregon se ata planifikojnë që ta bëjë këtë një luftë të gjatë”, tha këshilltari i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Viktor Andrusiv.

“Moska duket se po mendon se duke e zvarritur luftën në këtë mënyrë, ajo mund ta detyrojë Perëndimin që të negociojë dhe ta detyrojë Ukrainën që të dorëzohet”, tha ai gjatë një adresimi televiziv.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “negociata shumë të vështira me Moskën” po vazhdojnë për përpjekjet për të evakuuar trupat ukrainase nga qyteti-port i Mariupolit, që gjendet në juglindje të Ukrainës.