Aktualitet

Ministria e Bujqësisë: “Nuk ka rrezik për mishin e pulës e vezët që blihen nga operatorët e licensuar!”

Zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi raportoi sot se në të gjithë territorin e vendit deri mbrëmë rezultoi se ishin 382,672 shpendë të ngordhur. Dje nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të konstatuar në kontrolle apo raportuar në numrin e gjelbër.

Vazhdon procesi për eliminimin dhe asgjësimin e shpendëve që po ngordhin. Veterinerët zyrtarë të AKVMB kanë kryer vizita e kontrolle në të gjithë 63 stabilimentet shpendrritëse dhe deri tani nuk ka raste të dyshuara. Nga kontrollet zyrtare në komplekset intensive të mbarështimit të shpendëve me drejtim për prodhimtarinë e mishit, rezultatet tregojnë se janë të pastra.

Me anë të një urdhri, ministria ka ndaluar shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjallë, ashtu sikurse edhe lëvizjen e tyre nga një fermë në një tjetër.

Eshtë në fuqi Urdhri për marrjen e masave kufizuese për parandalimin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Ky urdhër do të zbatohet në tre qarqet ku është konfirmuar vatra e sëmundjes: Durrës, Dibër Korçë. Urdhri ndalon shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në këto qarqe si dhe lëvizjen e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla. Policia e Shtetit, prefektët dhe kryetarët e këtyre 3 bashkive, por dhe të gjithë territorit të Shqipërisë janë në bashkëpunim të ngushtë me ne për të ndaluar çdo tentativë të shkeljes së ligjit.

Gjeçi siguroi konsumatorët se nuk ka asnjë rrezik si për mishin ashtu dhe për vezët e kontrolluara dhe të gatuara me temperaturë më të lartë se 70 gradë celsius.

Nuk ka asnjë rrezik si për mishin ashtu dhe për vezët të cilat i blini nga operatorët e licencuar dhe produktet janë të kontrolluara. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperaturë më të lartë se 70 gradë celsius siç është dhe procedura normale e gatimit.