Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: Përmirësim në dy qarqet problematike sa i përket reshjeve!

Situata e përmbytjeve në vend duket se është përmirësuar gjatë orëve të fundit, pas uljes së reshjeve të shiut. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë shifra lidhur me pasojat e krijuara pas përmbytjeve kryesisht në veri të vendit, ku Shkodra dhe Lezha pësuan dëme më të shumta.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Mbrojtjes, rreth 4356 hektarë tokë janë ende të përmbytura ndërsa tërheqja e ujit bëhet më ngadalë. Në qarkun e Shkodrës Forcat e Armatosura kanë evakuuar 318 banorë të cilët janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Gjithashtu janë evakuuar 57 krerë bagëtish.

Ndërkohë në Lezhë, po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa. Ndërsa mendohet që numri i banesave të përmbytura nga uji në zonat veriperëndimore të vendit të jetë me qindra.Si pasojë e pranisë së ujit në pjesën më të madhe të territorit të Shkodrës, ministria e Arsimit ka njoftuar pezullimin e mësimit në 14 shkolla edhe gjatë ditës së nesërme. Në njoftimin e ministrisë bëhet me dije gjithashtu se do të merren të gjitha masat e nevojshme që orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen në javët në vijim.

Ndërsa për qarqet e tjera të vendit, si Durrës, Kukës dhe Dibër, ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata paraqitej e normalizuar.

Lidhur me situatën reagoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila shprehu ngushëllimet për vdekjen e babait dhe djalit të tij nga përmbytjet në Shkodër. Gjithashtu ajo tha se SHBA do të ofronte nidhmë për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.

“Jemi të pikëlluar për vdekjen dhe dëmet që rezultuan nga përmbytjet shkatërruese në veriun e Shqipërisë. Shprehim ngushëllime për familjet e atyre që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe respekt për guximtarët shqiptarë që ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje sipas nevojës”, shkroi Kim në reagimin e bërë.