Rajoni

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut pro pranimit të propozimit francez!

Nisur nga konsultimet e deritanishme, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut do t’i propozojë qeverisë pranimin e propozimit të ndryshuar francez për vazhdimin e integrimit europian. Këtë e deklaroi sot Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili në profilin e tij në Facebook shkruan:

Konsultimet po zhvillohen në atmosferë mjaft pozitive, ku në mënyrë të detajuar po analizohet propozimi francez. Grupe dhe individë të ndryshëm fokusohen në çështje thelbësore që janë të rëndësishme për qytetarët e për procesin e ardhshëm të negociatave: gjuha maqedonase do të bëhet gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian, e formuluar qartë dhe pa asnjë vërejtje apo shpjegim të specifikuar në kornizën negociuese.

Protokolli, si dhe pjesa që i referohet çështjeve historike, mbeten në sferën e marrëdhënieve bilaterale dhe nuk janë pjesë e kornizës negociuese. Miratimi i këtij propozimi do të nënkuptojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, fillimin e procesit të skriningut – në thelb, hapjen e negociatave me kapacitet të plotë dhe menjëherë! Procesi i konsultimit vazhdon mes qeverisë dhe institucioneve të tjera, grupeve të interesuara e publikut të gjerë. Më pas, qeveria do të marrë vendimin përfundimtar.

Propozimin e Francës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, Shkupi zyrtar e sheh si bazë të fuqishme për ndërtimin e një qëndrimi serioz, të përgjegjshëm e shtetëror për mundësinë që i jepet shtetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski pretendon se janë ruajtur “vijat e kuqe”, të vendosura nga kabineti i tij mbi çështje jetike si gjuha, identiteti e historia. Maqedonia e Veriut ngul këmbë se çështjet e historisë nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve me palën bullgare. Presidenti Pendarovski theksoi se ky është një propozim shumë më i mirë se i mëparshmi.

Kur Maqedonia e Veriut të japë pëlqimin, pritet të thirret konferenca ndërqeveritare për hapat e mëtejshëm e për miratimin e kornizës negociuese. Autoritetet nuk mund të thonë sa mund ta zgjasë procesi i konsultave lidhur me propozimin e Francës për arritjen e kompromisit me Bullgarinë e që do t’i hapte rrugën europiane edhe Tiranës, krahas Shkupit. Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE/ja, akuzon kryeministrin Kovaçevski dhe kryediplomatin Osmani se po gënjejnë.