Aktualitet

Ministrja e Turizmit kërkesë Komitetit Teknik: Nga maji të hiqet pasaporta e vaksinimit!

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro teksa po tregonte vendimet e fundit të qeverisë, ka kërkuar nga Komiteti i Ekspertëve që të rishikojë detyrimin e sistemit të Green Pass-it.

Ajo ka kërkuar që ky detyrim të hiqet nga maji, në mënyrë që të çlirohet hyrja e vizitorëve të huaj në Shqipëri.

“Turizmi ka qenë një sektor mjaft i prekur prej krizave të njëpasnjëshme. Qeveria mori vendimin për të liberalizuar sistemin e vizave turistike për 8 vende. Në mbledhjen e sotme u diskutua dhe një kërkesë e komunitetit të biznesit të turizmit që ka të bëjë me rishikimin e sistemit të detyrimit për të treguar në kufi vërtetimin e vaksinimit, Green Pass.

Ne presim që Komiteti i Ekspertëve të marri në konsideratë të shohë që duke filluar nga maji të hiqet ky detyrim që të çlirojmë hyrjen e vizitorëve të huaj në Shqipëri”, tha ajo.

Turizmi duket se është ‘çliruar’ nga pandemia e COVID, ku treguesit që kanë lidhje me shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese në të gjithë vendin u përmirësuan ndjeshëm në muajin shkurt 2022 në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, në shkurt të 2022  numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 51,2 %, në krahasim me Shkurt 2021. Rritje ka pësuar edhe numri i vizitorëve rezident, që është rritur me 73,1 %, numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 23,7 %, ndërsa numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 86,4 %, në krahasim me Shkurt 2021.

Po gjatë këtij muaji është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 51,2 %, krahasuar me Shkurt 2021. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,2 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 75,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netë-qëndrimeve në të njëjtën periudhë gjithsej është rritur me 86,4 %, në krahasim me muajin Shkurt 2021. Numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 2,1 herë. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 2,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë-qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë prej 79,3 %.