Aktualitet

Ministrja Ibrahimaj: Nuk ka rritje të përgjithshme të çmimit të bukës!

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, si edhe shtrenjtimit të lëndëve të para, rritja e kostove te prodhuesit po reflekton rritje çmimesh për shumë produkte të shportës ushqimore. Nga mungesa e fuqisë punëtore janë prekur edhe furrat e bukës.

Problematika po shfaqet më e mprehtë në rrethe, ku shpopullimi është më i madh. Një furrë buke në Berat njoftoi se nga 1 prilli, çmimi i bukës masive do të rritet 10 deri 20%, pasi janë shtrenjtuar kostot nga rritja e pagave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se për të monitoruar problematikën e çmimeve, këtë vit do të ngrihet institucioni përgjegjës në varësi të Financave. Ky institucion do të monitorojë konkurrencën e çmimeve në sektorë të ndryshëm. Sa i përket çmimit të bukës, Ibrahimaj bëri të ditur se deri tani nuk rezulton rritje e përgjithshme e çmimit.

Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut. Në vazhdimësi kemi krijuar task forca që kanë pasur detyrë specifike monitorimin e çmimeve të tregut.

Gjatë 2022-shit, në bashkëpunim edhe me rekomandimet e BE-së, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm.

Më 2023-shin do të punojmë për krijimin e këtij institucioni, sepse është shumë e nevojshme.

Sa realisht janë rritur çmimet, këtë do ta shohim kur të dalin shifrat e inflacionit. Në dijeninë tonë, nuk ka pasur një rritje të përgjithshme të rritjes së çmimit të bukës, megjithatë ne politikat i hartojmë dhe masat i marrim në bazë të statistikave zyrtare.

Problematika me mungesën e fuqisë punëtore te prodhuesit e bukës u theksua më herët edhe nga Kryetari i shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia. Ndërsa për rritjen e çmimeve, ai tha se rezulton të jetë individuale, teksa shtoi se nuk ka shtrenjtim të bukës masive në të gjithë tregun./Monitor